Juventus godet në merkato, arrin akordin me dy futbollistë
Juventus duket se ka arritur të zhbllokojë dy goditje në ardhje në merkaton e janarit. I pari është mbrojtësi Ronald Araujo nga skuadra e Barcelonës, i cili do të vijë në formë huazimi, teksa klubi torinez do të paguajë vetëm pagën e tij.
Mbrojtësi është shumë i pakënaqur me faktin se është zgjedhje e tretë në ekipin e Flick, ndaj dhe kërkon më shumë hapësira. Juventus me dëmtimin e rëndë të Bremer dhe Cabal që kanë mbyllur sezonin, do të tentojë dhe afrimin e një tjetër mbrojtësi ku Antonio Silva nga Benfica është një objektiv konkret.
Sa i përket afrimeve është arritur akordi edhe me Kolo Muani, sulmuesi i PSG, që ka vendosur të kalojë në Torino. Edhe ai pritet të vijë në formë huazimi, ndërkohë që kujtojmë se PSG pagoi 100 milionë euro një vit më parë për ta marrë nga Eintracht Frankfurt.
Detajet e fundit për t’u sqaruar kanë të bëjnë me pagën e tij që shkon rreth 12 milionë euro në sezon, pra klubi torinez do të paguajë gjysmën, 6 milionë euro. /R.Lika-Koha Jonë/