Juventus kërkon me ngulm Bernardo Silvën, por problemi është paga e tij
Një emër i madh ka hyrë në radarët e Juventus për merkaton e verës. Bëhet fjalë për Bernardo Silva, i cili mund të largohet nga Manchester City në fund të sezonit.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, ka pasur kontakte të reja mes drejtuesve bardhezinj dhe lojtarit portugez, përmes agjentit të njohur Jorge Mendes. Juventusi synon të pozicionohet në vijën e parë për të siguruar shërbimet e mesfushorit ofensiv, i cili pritet të marrë një vendim për të ardhmen gjatë muajit prill.
32-vjeçari, që pritet të ndryshojë ambient pas një cikli të suksesshëm në Angli, duket i prirur të largohet nga Premier League. Mes alternativave të mundshme për të ardhmen e tij përmendet edhe Barcelona, që po punon për ta bindur, si dhe një rikthim i mundshëm në Portugali. Nuk përjashtohet as një eksperiencë jashtë Europës, në kampionate si MLS apo Arabia Saudite.
Megjithatë, për ta bërë real këtë transferim, Juventusi duhet të përballet me një pengesë të rëndësishme financiare. Aktualisht, Silva përfiton rreth 10 milionë euro në sezon dhe nuk pritet të pranojë oferta nën 8-9 milionë euro në vit. Kjo do të thotë se klubi torinez duhet të tejkalojë kufirin aktual të pagave, të vendosur së fundmi me rinovimin e Kenan Yıldız.
Një faktor tjetër që mund të ndikojë në operacion është edhe trajneri Luciano Spalletti. Strategu italian mund ta përdorë Silvën si trekuartist apo në krahët e sulmit në skemën 4-2-3-1, por nuk përjashtohet edhe një ndryshim sistemi në 4-3-3, çka do të ndikonte në profilin e lojtarëve të kërkuar.
Në këtë moment, pista mbetet e hapur, por realizimi i transferimit do të varet nga disa faktorë kyç: zgjedhja e vetë lojtarit, konkurrenca nga klubet e tjera dhe kapaciteti financiar i Juventusit.
KOHA JONË SONDAZH

