Juventus me mbrojtje të pakalueshme, Ronaldo shkëlqen edhe pa gol
Nëse vijon kështu me këto paraqitje në të gjitha kompeticionet, Juventusi i Pirlos nuk do të ndalet më. Në këto momente skuadra bardhezi fluturon nga entuziazmi. Arritja në finalen e Kupës së Italisë pasi kaluan Interit, bën që “mjeshtri” (trajneri Pirlo) të ketë ndërtuar një ekip solid në mbrojtje, duke lejuar shumë pak mundësi shënimi për rivalët. Në “Allianz Stadium”, erdhi rezultati i parë 0-0 në këtë sezon, por që mund të cilësohet fare mirë edhe si fitore.
Numrat flasin shumë për gjithçka, edhe sepse Juventus arriti në finalen e Kupës së Italisë për të 20-tën herë në histori. Pas tyre vijnë Roma (17) dhe Inter (13), ndërkohë që skuadra torineze ka arritur në finale në 6 raste në 7 sezonet e fundit, teksa në të vetmin rast kur ka mungua ka qenë në edicionin 2018-19.
Në tre rastet e fundit që kanë arritur në finale (2018, 2020 dhe 2021), deri në finale nuk kanë humbur asnjë ndeshje. “Sportmediaset” ka prekur edhe temën e mbrojtjes, atje ku është formuar një kopje e re mes Demiral dhe De Ligt, të cilët arritën të anulonin një dyshe të frikshme sulmuese Lukaku-Lautaro Martinez. Turku dhe holandezi ishin perfekt në aksionet mbrojtëse, duke mos lejuar thuajse në asnjë rast që porta e Buffon të vendosej në rrezik. Në këtë sezon ata kanë treguar se mund të jenë në garanci edhe kundër kundërshtarëve shumë të vështirë. Prova kundër Interit është shumë domethëse për të ardhmen, pasi Bonucci dhe Chiellini nuk mund të garantojnë edhe për shumë kohë nivele të larta.
Nëse kalojmë te Ronaldo, si gjithmonë është protagonist në ndeshjet më të rëndësishme, duke qenë një rrezik konstant për kundërshtarët. Edhe se nuk mundi të gjente rrjetën, ai ishte i vetmi që vendosi në provë Handanovic, i cili u detyrua të bënte dy ndërhyrje shpëtimtare. Në këtë mënyrë ekipi torinez ka rigjetur buzëqeshjen e humbur në fillim të sezonit, teksa tashmë objektivi është rikuperimi i pikëve në kampionat dhe kalimi i turit ndaj Portos në Champions League. /Rozalb Lika-Koha Jone/