Juventus mendon rikthimin e bujshëm të Chiesa-s në merkaton e janarit
Merkatoja e dimrit e Juventusit mund të sjellë një surprizë të madhe. Mes emrave që po qarkullojnë për të përforcuar skuadrën e Luciano Spallettit dhe për t’i dhënë bardhezinjve më shumë ambicie sesa thjesht një vend në Champions League, ka dalë në skenë edhe ai i Federico Chiesës.
Sulmuesi i krahut, prej rreth një viti e gjysmë pjesë e Liverpoolit, nuk ka gjetur hapësirat e dëshiruara në Angli dhe po mendon seriozisht një rikthim të menjëhershëm në Torino. Një lëvizje që do t’i shërbente jo vetëm Juventusit, por edhe vetë lojtarit, i cili synon të rilindë dhe të rifitojë fanellën e kombëtares italiane në funksion të Kupës së Botës.
Spalletti, që e ka vlerësuar gjithmonë Chiesën, deri në pikën sa e ka quajtur “Sinner-i ynë”, do të kishte nevojë për një alternativë cilësore edhe në repartin ofensiv. Profili i Chiesës, për rol dhe talent, do të ishte ideal për të dhënë frymëmarrje Kenan Yildizit.
Sipas La Gazzetta dello Sport, për momentin bëhet fjalë për një ide, por palët po reflektojnë seriozisht. Juventus po mendon një rikthim të Chiesës në formë huazimi deri në fund të sezonit, pasi klubi nuk ka ndërmend të shpenzojë fondet e kufizuara të janarit për një operacion të tillë. Nga ana tjetër është Liverpooli, që deri tani e ka shfrytëzuar shumë pak italianin: trajneri Slot e vlerëson, por nuk i ka dhënë minuta, ndërsa vetë Chiesa është lodhur duke pritur një shans, pavarësisht dashurisë së tifozëve të “Reds”.
Në pritje të zhvillimeve për këtë pistë, drejtori Comolli po përpiqet ta kënaqë Spallettin edhe në reparte të tjera, duke nisur nga mesfusha. Duke qenë se për Tonalin dhe Højbjergun do të flitet sërish në verë, Juventus ka hedhur sytë nga Guido Rodríguez. Mesfushori argjentinas ka përfunduar jashtë planeve te West Ham dhe, ndonëse nuk është zgjedhja e parë, pëlqehet për eksperiencën dhe mund të transferohet me kosto të ulët, madje edhe në formë huazimi.
Një tjetër nyje e ndjeshme mbetet krahu i djathtë i mbrojtjes. João Mário nuk ka bindur dhe mund të largohet. Emri i parë në listë është Brooke Norton-Cuffy, i kërkuar edhe nga klube të tjera. Negociatat kanë kohë që kanë nisur dhe drejtori sportiv Ottolini, i cili pritet të bashkohet me Juventusin pasi u largua nga Genoa, konsiderohet çelësi për mbylljen e marrëveshjes, që nis nga rreth 20 milionë euro për kartonin. Nuk përjashtohet as përfshirja e Mattia Perin në tratativë, me portierin që është gati të lërë Piemontin për t’u transferuar në Liguri.
KOHA JONË SONDAZH

