Juventus mund Atalantën në Kupë, shkëlqejnë Higuain dhe Bufon (VIDEO)
Juventus hedh një hap të rëndësishëm drejt finales së Kupës së Italisë. Bardhezinjtë fituan me rezultatin 1-0 ndeshjen e parë të luajtur në Bergamo. Masimiliano e kishte vlerësuar maksimalisht këtë takim, teksa hodhi në fushë 11-shen më të mirë në mungesë të Dibalës, i cili vijon të mbetet i dëmtuar.
“Zonja e Vjetër” e nis furishëm ndeshjen në një takim që u shoqërua edhe nga prezenca e mjegullës në fushën e lojës. Në minutën e 3-të Gonzalo Higuain bën një veprim të bukur në zonë, duke mposhtur portierin e Kombëtares sonë, Berisha. Juventus nuk ndalet këtu, teksa ka mundësi të tjera të mira shënimi, por portieri shqiptar fiton më shumë siguri në minutat në vijim. Vendasit kanë një shans të artë në të 25-ën, pasi fitojnë nj 11-metërsh, pas një prekje të topit me dorë që u akordua nga “VAR”. Nga pika e bardhë shkon Gomez, por Bufon bën mrekullinë duke ndalur goditjen e tij.
Në këtë mënyrë ai festoi në mënyrën më të mirë ndeshjen e 1000 në karrierë,dhe të parën pasi ka festuar 40-vjetorin e lindjes, të dielën. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërkohë që në fraksionin e dytë Juventusi administron në mënyrën më të mirë avantazhin. Kujtojmë që ndeshja e kthimit do të luhet në “Allianz Stadium” më 28 shkurt. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

