Juventus ngulmon për Kolo Muani, por fatin e tij e vendos … shorti i Championsit
Nesër mund të jetë dita vendimtare për rikthimin e Randal Kolo Muanit te Juventusi. Situata është bërë delikate edhe për shkak të shortit të fazës me eliminim direkt të Champions League, që hidhet të premten.
Nga shorti mund të dalë një përballje mes Juventusit dhe Tottenhamit, skuadra aktuale e sulmuesit francez, një skenar që rrezikon ta ndërlikojë operacionin, pasi klubi londinez mund të hezitojë ta lëshojë një lojtar te një rival i mundshëm europian.
Pavarësisht kësaj, drejtuesit bardhezinj vazhdojnë të punojnë për një marrëveshje që dështoi gjatë verës pas javësh negociatash, por që tani mund të marrë jetë. Duke parë paraqitjet jo bindëse në repartin ofensiv dhe problemet fizike të Vlahoviçit, Spalletti kërkon me urgjencë një përforcim në sulm.
Nga ana tjetër, Kolo Muani ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në Torino, ku ishte ambientuar mirë si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Pengesa kryesore mbetet arritja e një marrëveshjeje jo vetëm me Tottenhamin, por edhe me PSG-në, që zotëron kartonin e lojtarit. Juventusi po shtyn për një huazim me pagesë, por këtë herë mund të kërkohet më shumë se një e drejtë blerjeje për të mbyllur operacionin.
KOHA JONË SONDAZH

