Juventus nis takimet e fshehta me Raiolën, ikën Ronaldo dhe vjen Donnarumma
Andrea Agnelli dhe Cristiano Ronaldo kanë fiksuar takimin për të ardhmen e argjentinasit në fillim të muajit maj. E ardhmja e Juventusit do të varet shumë nga ky takim, nëse CR7 do të vijojë apo do të vendosë që të nisë një aventurë të re. Në krahun tjetër klubi torinez po punon në heshtje edhe për transferime, teksa jo më kot, është parë në ditët e fundit edhe agjenti Mino Raiola.
Pas vizitave në Barcelonë dhe në Madrid, ai vendosi që të kishte biseda edhe me bardhezinjtë, pasi ka marrëdhënie shumë të mira. Një nga temat e diskutimit ka qenë padyshim Gigio Donnarumma, i cili ende nuk ka rinovuar kontratën me Milanin dhe mund të largohet në fund të sezonit. Raiola ndërkohë ka diskutuar edhe për futbollistët e tjerë që ka nën menaxhim, Bernandeschi, De Ligt, Pellegrini, Moise Kean, Romagnoli dhe Pogba.
Një nga temat e nxehta është shkëmbimi mes Bernandeschit dhe Romagnolit me Milanit, apo edhe hipoteza për rikthimin e mundshëm të Moise Kean te skuadra e Juventusit, pas dy sezoneve të kaluar në Angli dhe Francë. Vështirë duket diskutimi për Paul Pogba, apo edhe për De Ligt, teksa ky i fundit duket se do të ketë edhe shumë vite me bardhezinjtë.
Sa i përket situatës së Donnarummas, Juventus prej kohësh ka shfaqur interes, por tashmë ka mundësinë për ta rrëmbyer me zero euro, duke i ofruar edhe një kontratë të majme me miliona euro, njëlloj siç ka bërë në sezonet e fundit me Ramsey-in apo Rabiot. Ekipit torinez mund të ofrojë plotë 12 milionë euro në sezon, sa është edhe kërkesa e agjentit Raiola, i cili mund të shpërblehet edhe me një bonus, siç ka ndodhur më parë me transferimin e Pogba. Me Dybala-n që do të shërbejë për të përmirësuar disi situatën financiare dhe Ronaldon që do të lirojë klubin nga paga stratosferike, klubi torinez është gati që të investojë për të ndërtuar një ekip me të rinj shumë të talentuar dhe të uritur për trofe. /Rozalb Lika-Koha Jone/