Juventus rinis stërvitjet, Ronaldo futet në izolim pas kthimit nga Dubai
Andrea Pirlo nisi punën me futbollistët e tij në Continassa këtë pasdite për seancën e parë stërvitore pas mini-pushimit që morën bardhezinjtë për Krishtlindje. Tekniku i “Zonjës së Vjetër” drejtoi një sesion midis pjesëve atletike dhe teknike, ndërsa stafi mjekësor u kujdes për vlerësimin e të lënduarve.
Arthur mori një goditje në ndeshjen kundër Atalantës, Chiellini vazhdon të vuajë lëndimet e njëpasnjëshme që e bënë të humbë shumë ndeshje në pjesën e parë të sezonit, ndërsa De Ligt pati probleme në fundin e sfidës ndaj Fiorentinës. Demiral, i cili tashmë ishte rikuperuar para Krishtlindjes, tani synon të jetë në fushë ndaj Udineses, më 3 janar në “Allianz Stadium”.
Situata është ndryshe për Cristiano Ronaldon i cili, pasi u kthye nga Dubai, ku mori çmimin “Lojtari më i Mirë i Shekullit”, do të mbetet në izolim dhe vetëm pas tamponëve të zakonshëm ai do të jetë në dispozicion për t’u kthyer në stërvitje. Pirlo, pret që të gjithë të jenë në dispozicion deri të mërkurën.