Juventus shet Mbangula dhe Weah për të financuar afrimin e Jadon Sanchos
Juventusi është gati për të bërë hapin vendimtar për transferimin e Jadon Sancho, objektivi kryesor i merkatos për të përforcuar repartin ofensiv të trajnerit Igor Tudor. Pas arritjes së marrëveshjes me Porton për Francisco Conceição, vëmendja e drejtuesve bardhezi është zhvendosur tek anësori anglez i Manchester United, për të cilin bisedimet janë intensifikuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit.
Sipas burimeve të afërta me klubin, mes Juventusit dhe “Djajve të Kuq” është arritur një marrëveshje paraprake për 15 milionë paund (rreth 18 milionë euro), ndërsa për vetë Sancho është gati një kontratë me një pagë prej rreth 6 milionë euro neto në sezon. Për të finalizuar transferimin, Juventusi duhet fillimisht të sigurojë fondet e nevojshme dhe ato pritet të vijnë nga shitja e Samuel Mbangula dhe Timothy Weah.
Werder Bremen është shumë pranë marrëveshjes me Juventusin për Samuel Mbangula, për të cilin është gati një ofertë prej rreth 13 milionë eurosh. Futbollisti belg, i afruar nga Anderlechti për më pak se 500 mijë euro, nuk bën pjesë në planet e trajnerit Tudor, i cili e ka aktivizuar vetëm 4 minuta në total në ndeshjet ndaj Bolonjës dhe Udineses.
Agjentët e Mbangulës ndodhen në Torino për të finalizuar kalimin e tij në Bundesligë, operacion që do t’i sjellë bardhezinjve një plusvalencë të rëndësishme. Ndërkohë, Timothy Weah është pranë largimit drejt Marsejës, ku trajneri Roberto De Zerbi e kërkon për të përforcuar krahët. Me Tudor, amerikani ka grumbulluar 9 paraqitje në Serie A (3 si titullar), por nuk ka bindur dhe është vënë në shitje. Në total, Juventusi do të arkëtojë rreth 28 milionë euro nga dy shitjet, shumë që do të përdoret për të mbyllur operacionin e Jadon Sancho, duke plotësuar si kërkesat e Manchester United, ashtu edhe pagën e lojtarit. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

