Juventus shumë i fortë për Interin, Ramsey dhe Dybala gjunjëzojnë zikaltrit (VIDEO)
Juventus bën një provë shumë pozitive në derbin ndaj Interit. Në “Allianz Stadiumin” e boshatisur nga frika e koronavirusit, skuadra torineze fitoi 2-0. Pjesa e parë ishte me një ritëm të kënaqshëm me të dyja skuadrat që krijojnë shanse të mira shënimi. Mungesa e tifozëve duket se ndihet pak, pasi të dyja ekipet luajnë me një ritëm shumë të lart.
Në fillimin e fraksionit të dytë, Interi e nis në sulm, por do të befasohej nga kampionët e Italisë. Në minutën e 54-t, Ramsey përfitoi nga një aksion i gjatë duke e devijuar topin në rrjetën e Handanovic.
Sarri hedh në fushë edhe Dybala-n, teksa do të shpërblehej menjëherë për këtë zgjedhje. Në minutën e 67-të, La Joya bën një finte të bukur në zonën e zikaltërve dhe më pas arrin që të shënojë me këmbën e djathtë.
Ronaldo luajti ndeshjen e 1000 zyrtare në karrierë, por pa mundur që të lërë gjurmë. Juventus merr kryesimin pas kësaj fitoreje me 63 pikë, 1 më shumë se Lazio, ndërkohë që Interi mbetet në kuotën e 54 pikëve. /R.Lika-Koha Jone/