Juventus shumë i fortë për Napolin, Ronaldo lë “gjurmë” në të 3 golat (VIDEO)
Juventus nuk njeh rivalë në Seria A gjatë këtij sezoni. Kampionët e Italisë kanë fituar super ndeshjen e javës së 7-të ndaj Napolit në shifrat 3-1, duke e çuar në 6 pikë diferencën mes të dyja ekipeve gjatë këtij sezoni. Bardhezinjtë zhvilluan një ndeshje fantastike, ndërkohë që protagonisti kryesor ishte Cristiano Ronaldo, i cili ishte protagonist në të tre golat e shënuar.
Sinjalin e parë e dha Zielinski në minutën e 6-të me një goditje me të majtën nga distanca, teksa tentativa e tij u përplas në shtyllën e majtë të portierit Sczezny. Kundërpërgjigja e Juventusit është e menjëhershme në minutën e 9-të, em Cristiano Ronaldon, i cili godet fuqishëm në hyrje të zonës, por goditja e tij ndalet nga portieri Ospina, i cili e devijoi në goditje nga këndi. Fillimi i ndeshjes ishte fantastik për napolitanët, që gjejnë golin e avantazhit në minutën e 10-të.
Allan pason mjaft mirë për Callejon, i cili më pas shërben për Mertens, teksa ky i fundit e ka të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë. Bardhezinjtë reagojnë me Ronaldon, i cili provoi me një goditje në hyrje të zonës fluturimthi, por sërish goditja e tij ishte qendrore. Në minutën e 26-të, Ronaldo dhuron spektakël në krahun e majtë duke dribluar Hysajn ndërkohë që topi shkon më pas te Mandzukic, i cili e ka të thjeshtë për të shënuar golin e barazimit. Më pas bardhezintjë domkinojnë duke zhvilluar një ndeshje me ritëm të shfrenuar, duke krijuar disa mundësi të mira shënimi me Emre Can, Dybala-n dhe Ronaldon.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtën ritëm si e para, teksa Juventus vijoi dominimin. Cristiano Ronaldo në minutën e 49-të godet shtyllën dhe më pas shkon në këmbët e Mandzukic, i cili e ka shumë të thjeshtë për të shënuar golin e dytë personal. Pas këtij goli bardhezinjtë tërhiqen pas duke i dhënë mundësinë napolit që të rrezikojë me Callejon ishte shumë pranë golit të barazimit. Në minutën e 58-të ndërkohë Napoli mbeti me një lojtar më pak në fushën e lojës, pasi Mario Rui u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në këtë ndeshje.
Skuadra e Ancelottit luan më mirë me 10 futbollistë se me 11, teksa në minutën e 70-të, Callejon humbi një shans të artë përballë portierit të bardhezinjve që e ndali mjaft mirë. Në minutën e 76-të, Juventusi shënoi edhe golin e tretë, me Ronaldon që devijoi topin më shpinë, më pas shkoi te Bonucci, i cili vetëm e shtyu në rrjetë. Dy minuta më pas Cr7 u vendos përballë portierit Ospina, por goditja e portugezit u ndal nga portieri. Disa minuta më pas portugezi humbi një tjetër mundësi mjaft të mirë nga një pozicion shumë i favorshëm. Juventus ruan kryesimin me pikë të plota 21, 6 më shumë se Napoli. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

