Juventus synon Calafiorin, me Elkann që kërkon rikthimin e ‘bllokut’ në Kombëtare
Juventus po shfaq sërish interes për Riccardo Calafiorin. Një transferim i mundshëm verën e ardhshme varet nga dy faktorë kryesorë: së pari, Juventus duhet të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, dhe së dyti, vetë lojtari duhet të ushtrojë presion ndaj klubit të tij aktual, Arsenalit, për të zbutur qëndrimin e tyre. Kjo dëshirë për të rikthyer Calafiorin është pjesë e një vizioni më të gjerë të John Elkann, i cili synon të rivendosë “bllokun juventin” në kombëtaren italiane. Elkann beson se ky bllok ka qenë thelbësor për sukseset e shumta të “Axurrëve” në të kaluarën, një drejtim i qartë i shprehur tashmë në muajt e fundit gjatë diskutimeve të brendshme për rindërtimin e skuadrës.
Calafiori aktualisht është pjesë e Arsenalit, një klub që është pranë fitores së Premier League. Megjithatë, në periudhën e fundit, vendi i tij si titullar ka qenë disi i luhatshëm. Nëse do të transferohej te Juventusi, ai do të bëhej një nga pikat kryesore të referencës në mbrojtje, duke ofruar një rol më të qëndrueshëm dhe të rëndësishëm. Kjo mund të shërbejë si një motivim i fortë për futbollistin, i cili tashmë në verën e vitit 2024, kur ishte pjesë e Bolognës, kishte shprehur dëshirën për t’u transferuar në Torino. Në atë kohë, Juventusi u detyrua të tërhiqej përballë konkurrencës së Arsenalit, i cili ofroi 45 milionë euro plus 5 milionë euro bonuse. Një përqindje e madhe e kësaj shume shkoi për Baselin (50% e fitimit të realizuar nga Bologna) dhe një pjesë më e vogël për Romën, klubi që e kishte dërguar atë në Zvicër.
Aktualisht, Juventusi po vlerëson me kujdes investimet e ardhshme. Me synimin për të zgjeruar numrin e lojtarëve të kombëtares italiane në skuadër dhe për t’i ofruar trajnerit Spalletti një ekip sa më konkurrues, klubi po analizon çdo mundësi. Calafiori shihet si qendërmbrojtësi i majtë që Juventusi ka kërkuar prej kohësh, një pozicion për të cilin janë shqyrtuar edhe emra si Senesi dhe Rüdiger. Ardhja e tij mund të ndryshojë ekuilibrat aktualë në mbrojtje, duke mos përjashtuar shitje të papritura në sesionet e ardhshme të merkatos, përfshirë lojtarë si Bremer dhe Gatti. Për momentin, Calafiori mbetet një ide, por analizat e thelluara mund të çojnë shpejt në fillimin e negociatave. Në atë pikë, drejtuesit e Continassa-s do të kërkojnë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të lojtarit.
Në listën e dëshirave të Juventusit janë edhe lojtarë të tjerë italianë, mes të cilëve Sandro Tonali, i cili konsiderohet ëndrra më e madhe për të forcuar mesfushën. Është e qartë se klubi do të duhet të bëjë zgjedhje të kujdesshme për të kalibruar investimet gjatë verës, duke pasur parasysh një buxhet të kufizuar. Kjo situatë mund të ndryshojë vetëm nëse, pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve, klubi arrin të rrisë buxhetin në dispozicion përmes shitjes së disa lojtarëve. Në Continassa, po merret gjithnjë e më shumë në konsideratë mundësia e largimit të disa prej elementëve më të vlerësuar të skuadrës, me Cambiaso dhe Kalulu si të parët në listë, por ekziston edhe një skenar i lidhur me largimin e Bremer. Klubi shpreson gjithashtu të gjejë një zgjidhje për lojtarët që nuk bëjnë më pjesë në planet, si Openda, David (nga i cili mund të vijë një plusvalencë), Douglas Luiz dhe Nico Gonzalez.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

