Juventusi do të tentojë goditje të dyfishtë në merkato, Kolo Muani dhe Zhegrova
Juventusi vazhdon të ndjekë me këmbëngulje Randal Kolo Muanin për ta rikthyer në Torino. Sulmuesi francez ka dhënë miratimin e tij dhe ka njoftuar tashmë PSG-në për dëshirën për t’u transferuar te “Zonja e Vjetër”. Drejtori Comolli e sheh Kolo Muanin si përparësi dhe po punon për të arritur marrëveshjen me klubin parizien. Shitjet e mundshme gjatë këtyre ditëve mund të sigurojnë buxhetin e nevojshëm për ta realizuar operacionin.
Në dalje, Nottingham Forest është rikthyer me forcë për Nicolò Savona. Anglezet kanë paraqitur një ofertë fillestare prej 11 milionë eurosh, por Juventus kërkon të paktën edhe shtatë milionë të tjerë për të mbyllur marrëveshjen. Palët po negociojnë, por nga Torino sinjalet janë të qarta: çmimi është ai dhe nuk ka ulje.
Në listën e largimeve mbeten edhe Dusan Vlahovic dhe Nico Gonzalez. Klubi bardhezi pret një ofertë konkrete për sulmuesin serb, i cili ka një pagë të lartë prej 12 milionë eurosh. Aktualisht nuk ka asgjë zyrtare, por shpresa mbetet te një ofertë “last minute”, veçanërisht nga Premier League dhe Neëcastle, që sipas zërave të fundit ka shfaqur interes.
Edhe Nico Gonzalez mund të largohet. Atletico Madrid është duke e vëzhguar me kujdes situatën e tij dhe, në rast largimi, Juventus do të synojë një përforcim për krahun e djathtë. Emri kryesor mbetet ai i Edon Zhegrova-s, sulmuesi kosovar i lindur në vitin 1999.
Klubi italian kërkon të arkëtojë nga shitja e Savonës një shumë të përafërt me atë që do të shpenzojë për kartonin e Zhegrovës, por koha po mbaron dhe në garë është edhe Olympique Marseille.
KOHA JONË SONDAZH

