Juventusi “ndez” finalen Kosovë-Turqi, mesazh për Yildiz dhe Zhegrovën para duelit vendimtar
Sfida mes Kosovës dhe Turqisë, që luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin Fadil Vokrri, pritet të jetë një nga përballjet më të zjarrta për një vend në Kupa e Botës 2026.
Përballja merr një tjetër dimension edhe për shkak të duelit mes dy lojtarëve që ndajnë të njëjtat ngjyra në nivel klubesh. Kenan Yıldız dhe Edon Zhegrova do të jenë këtë herë kundërshtarë në fushë, duke lënë mënjanë përkohësisht bashkëpunimin e tyre te Juventus.
Klubi italian nuk ka qëndruar indiferent ndaj këtij dueli dhe ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë dy futbollistëve të tij.
“Ndeshja eliminatore e Kupës së Botës midis Kosovës dhe Turqisë do të jetë bardh e zi: fat të mbarë, djema!”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Juventusi, duke shoqëruar urimin me simbolet e dy shteteve.
Ndërkohë, kjo ndeshje ka një domethënie edhe më të veçantë për Edon Zhegrova. Ylli i Kosovës feston sot ditëlindjen, duke mbushur 26 vjeç, dhe një fitore ndaj Turqisë do të ishte padyshim dhurata ideale në një mbrëmje me peshë historike për “Dardanët”.
KOHA JONË SONDAZH

