Juves i mjafton Dybala, United mundet në “Teatrin e Ëndrrave” (VIDEO)
Juventus nuk di të ndalet në Champions League. Bardhezinjtë fituan minimalisht 1-0 ndaj United në “Old Trafford” duke dominuar ndeshjen. Skuadra e Allegrit e nisi mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e 16-të. Ronaldo kroson nga krahu i djathtë për Cuadradon, teksa topi devijohet në mesin e zonës duke shkuar te Dybala. Sulmuesi argjentinas e ka të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë.
Bardhezinjtë kanë mundësi të tjera shënimi me Dybala-n, Cancelon dhe Ronaldon, ndërkohë që në krahun tjetër United nuk kaloi thuajse në asnjë cast mesin e fushës. Edhe fillimi i pjesës së dytë foli i gjithi për Juventusin, teksa në minutën e 52-të De Gea bën një super pritje duke larguar topin nga trekëndëshi. United zgjohet në 20 minutat e fundit, teksa në minutën e 73-të, Pogba gjeti shtyllën pas një goditje të bukur me të majtën në hyrje të zonës. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi duke i dhënë 3 pikët e radhës bardhezinjve.
Manchester City ndërkohë fitoi lehtësish 3-0 në transfertë ndaj Shakhtar Donesk. David Silva hapi serinë e golave në minutën e 30-të, ndërkohë që 5 minuta më pas Laporte dyfishoi rezultatin. Në pjesën e dytë Bernando Silva vulosi fitoren me golin e tretë.
Real Madrid vuajti jo pak ndaj Viktoria Plzen, duke fituar 2-1. Benzema zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të, ndërkohë që në pjesën e dytë Marcelo shënoi golin e dytë në minutën e 56-të. 11 minuta nga fundi Hrosovsky ngushtoi shifrat duke ngjallur shpresa për një barazim, i cili nuk erdhi. Roma fitoi 3-0 ndaj CSKA së Moskës me dy gola të Dzekos dhenjë të Cengiz Under. /Koha Jone/

KOHA JONË SONDAZH

