Kalari: E njohim mirë Vllazninë, ta mbyllim vitin me një fitore

Partizani ka pësuar 3 humbje radhazi në sfidat e fundit, duke krijuar një distancë prej 5 pikësh nga Kukësi që mban kreun e renditjes. Kampionët e Shqipërisë do të zbresin nesër në “Selman Stermasi” në kërkim të një fitoreje ndaj Vlaznisë. Trajneri i përkohshëm, Reninaldo Kalari ka kërkuar një sforco të fundit nga djemtë.

 

“Të jemi realistë, nuk është një nga ato situatat e mira, pasi 3 humbje radhazi ndikojnë te skuadra psikologjikisht e moralisht, por jemi Partizani dhe brenda vetes sonë duhet të gjejmë forca për t’u ringritur dhe për të vazhduar kampionatin, për të shkuar aty ku i takon Partizanit.

Mungesat e Melos, Boldorit dhe Solomon? Normalisht jemi të ndërgjegjshëm që kemi mungesa, por Partizani ka një organikë shumë të pasur lojtarësh. Të tre janë shumë të rëndësishëm për Partizanin, por ne i kemi forcat, kemi lojtarët të tjerë për t’i zëvendësuar këto mungesa në mënyrën më të mirë të mundshme. Lojtarë të pazëvendësueshëm nuk ka në asnjë skuadër. Në këtë pozicion përgjegjësia është e madhe. Me mundësitë tona duhet të bëjmë maksimumin që ta çojmë këtë skuadër përpara. Është një moment i vështirë, por besoj se është momental, si për mua dhe për të tjerët.

Mini-krizë? Është një pyetje që do kohë që t’i japësh përgjigje realisht. Mbas kësaj ndeshjeje gjithë secili nga ne duhet të bëjë një skaner dhe të nxirren shkaqet që kanë çuar këtë mini situatë të vështirë. Ato gjëra që janë bërë gabim t’i përmirësojmë.

Rivalët? Jemi koshientë për atë që ka bërë Vllaznia, sidomos në ndeshjet jashtë. E vlerësojmë maksimalisht këtë sfidë, për veten tonë në radhë të parë, sepse na duhen pikët për t’i bërë një mbyllje të mirë këtij fundviti. Për momentin mendojmë vetëm për atë që duhet të bëjmë ne dhe jo për atë që ka bërë Vllaznia apo çfarë do bëjë nesër. Ne na duhet që t’i imponojmë kundërshtarit lojën tonë dhe ishalla të marrim 3 pikët.

E ardhmja?  Për të ardhmen sinqerisht nuk kam menduar. Jam njeri që mundohem të bëj maksimumin për momentin, të ardhmes nuk i dihet asnjëherë. Qëllimet e mia i kam, shpresoj shumë që t’i kem brenda këtij klubi të madh. Të marr eksperiencën dhe vitet që duhen për të arritur aty ku unë i kam vënë qëllim vetes. Kjo është e gjitha. Nesër më intereson fitorja vetëm për skuadrën, për situatën që jemi, që të qëndrojmë aty sipër, për familjen e madhe të Partizanit, për asgjë tjetër.

SHKARKO APP