Kalendari i tmerrshëm për Interin, 10 ditët që vendosin fatin e sezonit në 3 fronte

Interi është në një moment kyç të sezonit, me ndeshje të rëndësishme në tri fronte që do të vendosin fatin e gjithë vitit. Trajneri Simone Inzaghi e di mirë se çdo detaj ka rëndësi.
Tensioni është i lartë, siç treguan edhe momentet e fundit të ndeshjes ndaj Cagliarit, ku Inzaghi udhëzonte lojtarët të mos rrezikonin më shumë seç duhet, nga frika e dëmtimeve.
Nesër Interi do të përballet me Bayernin në sfidën e kthimit të çerekfinales së Champions League, pas fitores 2-1 në Mynih. Më pas vijnë sfida po aq të vështira: Bologna në kampionat, derbi i Kupës së Italisë kundër Milanit dhe më pas Roma në “San Siro” më 27 prill. Një kalendar i “tmerrshëm” që mund të përcaktojë nëse Interi do të vazhdojë të ëndërrojë për një sezon historik.
Rikuperimi i Federico Dimarcos është një lajm pozitiv për ndeshjen ndaj Bayernit, duke i dhënë mundësi Carlos Augustos të marrë pak pushim. Formacioni pritet të jetë thuajse i njëjtë me atë të sfidës së parë, me rikthimet e Acerbit dhe Mkhitaryan dhe dyshen Lautaro-Thuram në sulm.
Nga stoli, situata po përmirësohet: Arnautovic është drejt formës së plotë, Taremi mund të grumbullohet, ndërsa Zalewski nuk ka pasur probleme pas zëvendësimit të fundit. Dumfries dhe Zielinski do të mungojnë edhe për këtë ndeshje. Interi do të mbështetet te formacioni bazë për të kaluar këtë periudhë vendimtare, ku çdo sfidë do të trajtohet si finale. /Koha Jonë/