Kallaku: Nuk fjeta nga lumturia kur mora ftesën nga Reja, ja ëndrra e madhe!

Sherif Kallaku është një nga futbollistët e gjeneratës së re të ekipit tonë kombëtar dhe duket një nga mesfushorët më premtues. I lindur në qytetin e Fushë-Krujës, ai filloi të merrej me futbollin në një moshë fare të vogël. Pas shkëlqimit me klubin e Teutës, Kallaku kaloi këtë verë në klubin e NK Lokomotivës së Zagrebit, në Kroaci. Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, mesfushori kuqezi tregon marrëdhëniet me shokët e rinj të ekipit si dhe me djemtë dhe trajnerët e ekipeve kombëtare, Shpresa dhe Kombëtares A. Për Kallakun, nata para ndeshjes me Kazakistanin ka qenë e pagjumë, ndërsa ndër momentet më të lumtura kujton fitoren në finalen e Kupës së Shqipërisë, kundër ekipit të Tiranës.

“Dëshira për të luajtur këtë lojë ka nisur që kur isha në moshë të vogël dhe njeriu i parë që më ka mbështetur ka qenë i ndjeri babai im. Ai ka qenë gjithmonë aty me mua, në çdo moment, edhe kur kisha stërvitje vinte dhe më ndiqte. Ka qenë tifozi im numër dhe ishte i pranishëm në ndeshjet e mia deri në momentin që ka ndërruar jetë. Në klubin e ri ndihem mirë, po ambientohem me kohën. Kisha pak vështirësi në fillim, por kam fat pasi kam shokë nga Shqipëria. Edhe me pjesën tjetër të ekipit kemi krijuar respekt dhe vlerësim për njëri-tjetrin.

Debutimi në Kombëtare? Kur mora ftesën nga Misteri isha shumë i lumtur, por edhe më i lumtur isha kur mora vesh që do isha titullar në ndeshjen ndaj Kazakistanit. Nuk fjeta gjumë atë natë, nuk e di se pse. Nga emocionet ndoshta, dëshira e madhe për të qenë pjesë e ekipit A, nga ëndrra e bërë realitet. Nuk di ta them. Thjesht kam qenë shumë i lumtur.

Sfidat më të veçanta? Finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës ka qenë një nga ndeshjet që më ka lënë mbresat më të mëdha pasi kthyem në qytetin e Durrësit kupën që mungonte prej 15 vitesh. Ndërsa me kombëtaren, do të veçoja debutimin tim si titullar në ndeshjen kundër Kazakistanit.

Synimi për të ardhmen? Një nga synimet e mia e kam plotësuar tashmë, që jam pjesë e kombëtares A. Tashmë, synimi i radhës është të bëhem pjesë e një prej top katër ligave të Europës”, deklaroi Kallaku.

Mesfushori debutoi në ndeshjen kundër Kazakistanit në transfertë si titullar ndërsa më parë ka qenë pjesë e ekipit Shpresa, ku ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit. 22-vjeçari po ngjit me shpejtësi shkallët e suksesit, pasi vetëm brenda një sezoni fitoi Kupën e Shqipërisë, u transferua në një klub të huaj dhe debutoi me Kombëtaren.

 

 

SHKARKO APP