Kamberi: Ja përse zgjodha Shqipërinë para Kosovës dhe Zvicrës
Një nga risitë e radhës së kombëtares sonë për dy ndeshjet ndaj Andorrës dhe Francës, është Florian Kamberi. Sulmuesi që luan për Hibernian në Skoci, zgjodhi të përfaqësojë kuqezinjtë, para Zvicrës dhe Kosovës, ndërsa në konferencën për shtyp të ditës së sotme tregoi edhe arsyet e këtij vendimi.
Si ju kanë pritur te Kombëtarja dhe pse zgjodhët Shqipërinë?
Çunat më kanë pritur shumë mirë dhe seancat stërvitore kanë shkuar vërtetë mirë. Kuptohem mirë me të gjithë dhe më kanë qëndruar pranë e mbajtur afër. Kam pasur kontakte me Shqipërinë, Kosovën dhe Zvicrën, por kuqezinjtë janë treguar më të interesuar dhe e kam pasur të lehtë që të zgjedh ata.
Si qëndron e vërteta e kontakteve tuaja me Kosovën e Zvicrën?
Unë e pata sqaruar që në fillim, se pikë së pari dua që të stabilizohem në një klub dhe pastaj do zgjedh, ndonëse isha i hapur për të tre opsionet. Pasi kalova një vit te Hibernian, pashë që Shqipëria u interesua më shumë dhe vendosa të zgjedh kuqezinjtë.
A jeni gati dhe në formë për të debutuar?
Jam gati dhe në formë mjaft të mirë. Shpresoj të luaj në këto takime. Me dokumentet merren njerëz të tjerë, unë përgjigjem vetëm në fushë dhe jam në formë.
Mendoni se mund të përshtateni me skemat e Rejës?
Nuk kam folur akoma me Rejën dhe do ta bëj këtë më vonë, por ai luan me 3-5-2 dhe unë ndihem më mirë me skemën me dy sulmues përpara.