Kamberi për mediat skoceze: Kombëtarja privilegj, ja pse vendosa ta pranoja ftesën
Sulmuesi i kombëtares sonë, Florian Kamberi dha një intervistë edhe për “edinburghnews”, disa orë para konferencës së kombëtares duke shprehur emocionet e këtij grumbullimi: “Do të jetë diçka e madhe që të luaj në këto dy ndeshje dhe të lë përshtypje te trajneri dhe stafi drejtues. Çdo ndeshje me kombëtaren është një privilegj, pavarësisht se kë ke kundërshtarë. Një ndeshje ndaj kampionëve të Botës, Francën e bën edhe më tërheqëse.
Zgjedhja e Shqipërisë? Nuk isha në pritje të ndonjë vendi në veçanti. Kam qenë në kontakte me Zvicrën, Kosovën dhe Shqipërinë. Fillimisht doja të fokusohesha që të luaja me klubin tim. Tani erdhi koha, Shqipëria shfaqi interes të fortë për mua. Telefonuan disa herë agjentin tim, dhe treguan se më kërkonin dhe kishin nevojë për mua. Treguan besim. Doja të shkoja atje ku doja dhe të luaja për Shqipërinë. Njoh disa prej lojtarëve që ma kanë bërë më të thjeshtë”, u shpreh Kamberi.