Kamberi zë vendin e Grezdës te Rangers: Realizova një ëndërr! (VIDEO-LAJM)

Sulmuesi i kombëtares Shqiptare, Florian Kamberi është futbollisti më i ri i skuadrës së Glasgë Rangers. 24-vjeçari, i cili së fundi u ftua edhe në përfaqësuesen kuqezi, u transferua në formë huazimi nga Hibernians. Kamberi iu bashkua ekipit që drejtohet nga Steven Gerard, si një përforcim i nevojshëm pas dëmtimit të sulmuesit Jarmaine Defoe.

“Jam i emocionuar që kur kam ardhur në Skoci. Ishte një ëndërr për mua që u transferova te Rangers ndaj jam shumë i lumtur. Kam luajtur disa herë përballë kësaj skuadre dhe e kam shijuar atmosferën në ‘Ibroks Stedium’. Pas një ndeshje i thash agjentit tim se ëndrra ime ishte që të luaja në këtë stadium, përpara këtyre fansave. Janë tifozët më të mirë në botë, që të mbështesin shumë. Çdo ndeshje në Ibroks është një gëzim më shumë”, deklaroi Kamberi.

Në rast se do të bindë në pjesën e dytë të sezonit, klubi i njohur skocez mund të blejë kartonin e plotë të tij. Kamberi do të mbajë fanellën me numër 23, me shpresën se do të bëjë mirë në aventurën që kishte ëndërruar prej kohësh. Ky është një tjetër lajm fantastik për trajnerin Reja, teksa sulmuesit janë bërë pjesë e ekipeve të rëndësishme europiane. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP