Kandidati për president te Barcelona përjashton rikthimin e Neymar, premton afrimin e Haaland
“Barcelona nuk do të përsërisë më gabimet e së kaluarës”. Këto janë fjalët e kandidatit kryesor për të marrë presidencën e klubit të Barcelonës Victor Font. 48-vjecari nga Granollers deklaroi se nuk ka aspak ndër mend për të ndërtuar fushatën e tij zgjedhore duke u mbështetur te transferimet e çuditshme apo premtimet boshe.
Font rrëfeu se ai do të bëjë të gjithë përpjekjet për të bindur kapitenin Leo Mesi për të rinovuar kontratën me klubin e famshëm katalanas. Victor Font këmbënguli në idenë e tij, teksa shpjegoi për “Goal” se nuk do të veprojë si kandidatët e mëparshëm, në historinë e klubit dhe të përsërisë po të njëjtat gabime, duke premtuar për shembull blerjen e sulmuesit të ri dhe tepër të talentuar norvegjez Erling Haaland.
Shtypi katalanas ka lënë të kuptohet ndërhyrjen e Barcelonës, në rast se krijohet mundësia e largimit të 20-vjecarit nga radhët e verdhezinjve të Borusias së Dortmundit, por për hir të së vërtetës klubi blaugrana nuk i ka as mundësitë dhe as fondet e duhura për t’u përgatitur për një lëvizje të tillë, prandaj në një kohë të vështirë si kjo është shumë më e udhës për të mos krijuar iluzione të kota te fansat e shumtë të skuadrës.
Klubi i Barcelonës kërkon që të shmangë një situatë të tillë të pakëndshme dhe të ofrojë shpresa të rreme te përkrahësit e ekipit, e në fakt edhe vetë Victor Font ka përjashtuar në mënyrë kategorike një rikthim të mundshëm të sulmuesit brazilian Neymar. Victor Font deklaroi se është një fans i zjarrtë i brazilianit Neymar, por 48-vjeçari rrëfeu se nga këndvështrimi i tij nuk e shikon sulmuesin paulist të transferohet sërish në Katalunjë, pasi sipas tij kjo gjë tani është e pamundur dhe krejtësisht jashtë realitetit, duke patur parasysh gjendjen e vështirë financiare të klubit.