Kaos te Vllaznia, Lici: S’kemi para, mund të luajmë me ekipin e të rinjve!
Futbollistët e Vllaznisë bojkotuan stërvitjen për shkak të pagave të pashlyera. Këtë të enjte futbollistëve u është komunikuar nga administratori Suad Lici se nuk mund të paguhen për dy muajt e qëndrimit në karantinë (u është dhënë paga e luftës nga FSHF), por do të marrin pagat në muajt qershor dhe korrik, pasi do të shtyhet sezoni. Futbollistët, pasi u konsultuan me njëri-tjetrin, nuk e pranuan këtë propozim, duke bojkotuar stërvitjen.
“Diskutuam me futbollistët për vazhdimësinë, ua bëra të qartë që klubi nuk mund të paguajë një punë të pakryer. Në kushte të jashtëzakonshme kanë marrë një pagë minimale të FSHF-së. Futbollistët më kërkuan që të merrnin së bashku një vendim e si duket nuk janë dakord.
Nëse futbollistët do të bojkotojnë, do të jemi të detyruar të luajmë me ekipin e të rinjve. Lojtarët kanë kontratë dikush deri në fillim të qershorit e një pjesë e mirë deri më 31 maj. Në kërkuam mirëkuptim për ta shtyrë deri në fund të korrikut. Kemi pa likuiduar vetëm muajin shkurt.
Muajt mars dhe prill futbollistët t’i marrin në qershor dhe korrik, sigurisht nëse do të biem dakord. Edhe unë kam pesë muaj pa pagë dhe kjo është situatë shumë e vështirë. Ua kam bërë të qartë se për sa kohë që nuk kemi para, sepse Bashkia nuk ka miratuar, s’kemi rrugëdalje”, deklaroi Lici për “Fan Zone”.