Kapiteni Berat Gjimshiti: Dukej sikur ishim në Shqipëri, jo në Gjermani

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, është shprehur i befasuar nga përkrahja masive që kombëtarja mori nga tifozët shqiptarë në ndeshjen e parë në Euro 2024 në Gjermani.

Shqipëria u mposht 2:1 nga Italia të shtunën në ndeshjen e parë të saj në Grupin B, duke realizuar gol qysh në sekondat e para, por që Italia u rikthye shpejt.

“Gjërat ndodhën shumë shpejtë në fillim të ndeshjes. Nuk e di a ishte pozitiv goli i hershëm me Nedimin apo ishte negativ. Ndoshta na bëri më shumë dëm. Ishim të ngadaltë, nuk bëmë presingun e duhur. U thash që duhet të bëjmë më shumë faule. Nuk e di a kemi bërë ndonjë faul në pjesën e parë. Është dashur të jemi më agresiv. Në pjesën e dytë luajtëm pak më mirë. Në golin e parë lojtari ishte i pambuluar, goli i dytë i Italisë ishte pak me fat. Më pas italianët morën shumë vetëbesim dhe nuk ishte e lehtë për ne”, ka thënë Gjimshiti pas ndeshjes.

Në stadiumin e Dortmundit, dominuese ishin ngjyrat kuq e zi. Kapiteni Gjimshiti ka falënderuar tifozët, ndërsa ka shprehur shpresë që kuqezinjtë të këndellen për ndeshjen e së mërkurës ndaj Kroacisë.

“Mbeta i befasuar nga përkrahja që kishim. Kishte flamuj, ngjyrat kuq e zi. Më dukej se jemi në Shqipëri. Në stadium ishin 80 për qind shqiptar. Atmosfera ishte fantastike. Gazetarët gjermanë më thanë se atmosfera ishte më e mirë se kur luan Dortmundi. I falënderojmë të gjithë tifozët për përkrahjen. Duhet të rikuperohemi sa më mirë dhe duhet të jemi gati në ndeshjet që vijnë. Italia ka ekip shumë të fortë, është kampione në fuqi”, ka përfunduar kapiteni.

SHKARKO APP