Kategoria Superiore, sfidat e javës së 10-të. Përballje e fortë Bylis-Teuta
Java e 10-të e Kategorisë Superiore është e ndarë në dy ditë; e diel dhe e hënë dhe e gjithë kjo se ndeshjet e javës së nëntë u zhvilluan në mesjavë. Të dielën janë programuar për t’u zhvilluar 3 ndeshje ku Tirana do të luajë me Luftëtarin ku për bardheblutë bën debutimin e tij trajneri Ahmataj.
Teuta ka përballjen më të vështirë, pasi do të luajë në Ballsh me Bylisin, një skuadër që po bën vërtet shumë mirë në këtë sezon në Kategorinë Superiore, duke i befasuar të gjithë me paraqitjet e tij shumë të mira në fushën e lojës që të bën të mendosh se grumbullimi i 16 pikëve prej kësaj skuadre nuk është rastësi. Vëmendja më e madhe do të jetë e përqendruar në pasditen e së hënës. Partizani që pas suksesit me Skënderbeun mori edhe kryesimin në klasifikim, do të presë Kukësin që vjen në këtë përballje pas suksesit 4-1 me Luftëtarin.
Nga ana tjetër, po të hënën do të luhet sfida mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Skuadra Vlonjate që ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin Sadedini, po jeton ndoshta sezonin më të vështirë në historinë e tij. Flamurtari është në vendin e fundit në renditje me vetëm 2 pikë të grumbulluara në 9 javë, ndërkohë që edhe vetë Skënderbeu është në vështirësi teksa e sheh veten në vendin e 7 me 13 pikë, 4 më pak se Partizani kryesues.