Keidi Bare: Jam ushtar që zbatoj rregullat, synojmë vendin e dytë
Keidi Bare në konferencën e sotme për mediat foli për dy ndeshjet e radhës, për skuadrën kuqezi, marrëdhënien me trajnerin Reja si dhe për formën e mirë që po kalon tek ekipi spanjoll. Ai theksoi në fjalën e tij se pikësynimi i kuqezinjve është vendi i dytë.
Ftesa nga Kombëtarja – “Natyrisht që po, por në Kombëtare vij gjithmonë me shumë siguri pasi kam besimin te lojtarët e tjerë dhe te trajneri. Tek Espanjoli po shkojnë gjërat shumë mirë siç e keni parë, kam luajtur rregullisht dhe shpresoj që të vazhdoj kështu”.
Mënyra e lojës me Kombëtaren dhe klubin – “Ka të bëjë shumë ekipi, pasi me Kombëtaren është sistem tjetër dhe luaj në rol tjetër, ndërsa me klubin kam sistem tjetër dhe roli im është para mbrojtjes. Jam më shumë në kontakt me topin, por për mua është njësoj, jap maksimumin si këtu edhe tek Espanjoli”.
Më mirë roli në Kombëtare apo tek Espanjoli? – “Ndihem mirë në shumë role, e rëndësishme është të jem në fushë dhe të jap maksimumin. Jam si një ushtar që zbatoj rregullat si këtu edhe tek Espanjoli”.
E vështirë për të luajtur në La Liga? – “Kam luftuar dhe punuar shumë për të arritur këtu ku jam. Nuk është e lehtë që një shqiptar të arrijë në këto nivele, por më e rëndësishmja është që të vazhdoj me këtë ritëm. Për të arritur mund të arrijë çdo lojtar, por për të qëndruar dhe për të kaluar më lart është pak më e vështirë. Me punë dhe seriozitet arrihet çdo gjë”.
Niveli i skuadrës sonë? – “Kombëtarja e sotshme po zhvillon ndeshje shumë të mira dhe shpresoj që edhe ndeshjet në vazhdim të bëjmë të njëjtën gjë. Pikësynimi ynë është të arrijmë vendin e dytë dhe pse jo të mos shkojmë në Botëror. Këto gjëra duan përqendrim dhe të bëjmë gjërat mirë dhe ato që na thotë trajneri. Besoj se do ia arrijmë qëllimit, pavarësisht se janë ndeshje shumë të vështira”.
Marrëdhënia me trajnerin Reja? – “Edy Reja më ka mësuar shumë, si të vendosem në fushë, si të vrapoj me dhe pa topin dhe ndihem shumë mirë me misterin, por nuk është vetëm ai, por i gjithë grupi që kemi. Shpresoj të vazhdojmë me këto ritme dhe i them misterit shumë faleminderit”.
Pikët në këto dy ndeshje? – “Nuk dua të them se sa pikë parashikoj por dua të them që do të futemi në këto ndeshje për të fituar dhe për të arritur qëllimet tona”.