Klopp: Refuzova Manchester United sepse nuk doja rikthimin e Ronaldos dhe Pogba
Jurgen Klopp ka zbuluar disa prapaskena interesante nga koha kur ishte në bisedime për të marrë drejtimin e Manchester Unitedit, përpara se të nënshkruante me Liverpoolin në vitin 2016.
Në një intervistë të fundit, trajneri gjerman ka pranuar se ishte kontaktuar nga drejtuesit e “Djajve të Kuq”, por projekti që iu ofrua nuk e bindi. Klopp tregoi se gjatë takimit me drejtuesit e Unitedit, atij i ishte premtuar se do të silleshin disa nga emrat më të njohur të futbollit botëror, përfshirë rikthimin e ish-lojtarëve si Cristiano Ronaldo dhe Paul Pogba.
“Më thanë: ‘Do t’i marrim lojtarët që dëshiron, atë, atë dhe atë’. Por unë mendoja me vete: ‘Ky nuk është projekti im’. Nuk doja të ktheja sërish Paul Pogban. Këto gjëra nuk funksionojnë. Apo Cristiano Ronaldo, ‘Zoti im, e dimë që ai është ndër më të mirët në botë bashkë me Messin’, por kthimi i lojtarëve të vjetër nuk sjell sukses”, tha Klopp.
Sipas tij, projekti i Manchester Unitedit ishte më shumë i bazuar në emra të mëdhenj sesa në ndërtimin e një ekipi me filozofi të qartë futbolli.
“Ata donin të sillnin lojtarët më të mirë, por jo domosdoshmërisht të luanin futboll të mirë. Pastaj erdhi Liverpooli me një projekt të pastër futbolli dhe kjo ishte ajo që kërkoja”, shtoi ish-trajneri i “The Reds”.
Në të njëjtën intervistë, Klopp nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të rikthehet përsëri në drejtimin e Liverpoolit, duke lënë të hapur derën për një kapitull të ri me klubin ku arriti sukseset më të mëdha të karrierës.


KOHA JONË SONDAZH

