Koeman e pranon gabimin: Suarez duhet të shitej te Juventusi jo Atletico!

Ronald Koeman ka pranuar që Luis Suarez duhet të shitej te Juventusi dhe jo Atletico Madridi. Kjo do të kishte qenë më mirë për Barcelonën, sepse ka përforcuar një rival direkt në La Liga, i cili po kryeson kampionatin. Karriera jashtëzakonisht e suksesshme 6-vjeçare e Suarez në “Camp Nou” mori fund kur u largua verën e kaluar, për t’u bashkuar “rojiblancos” në këmbim të 6 milionë eurove, një shifët që duket qesharake duke marrë në konsideratë vlerat e tij.

Koeman e vlerësoi si të panevojshëm uruguaianin, pasi u emërua trajneri i Blaugrana-ve, me Atletico Madrid që përfundimisht e fitoi garën për nënshkrimin e tij, përpara gjigantëve të Serie A, Juventus. Suarez ishte i lidhur shumë me bardhezinjtë për muaj me radhë, por transferimi dështoi për shkak të akuzave për mashtrim në një test gjuhe, pasi dorëzoi kërkesën për shtetësi italiane.

Ish-sulmuesi i katanasve ka shënuar 14 gola në 16 ndeshjet e tij të para në La Liga për ekipin e Diego Simeone, duke ndihmuar ekipin e tij që të krijojnë një epërsi prej 10 pikësh në krye të renditjes, aktualisht. Koeman tani ka pranuar se nuk ishte skenari ideal, që Suarez të bashkohej me një rival spanjoll të nivelit të lartë, por ende beson se Blaugrana-t morën vendimin e duhur, kur vendosën largimin e tij.

“Kjo është pjesë e punës sonë. Kur erdha si trajner në Barcelonë, kishim mendimet tona mbi merkaton. Unë kisha informacione nga klubi dhe në fund duheshin marrë vendime. Ju duhet t’i merrni këto vendime, sepse nëse shkon mirë, është në rregull, por nëse nuk shkon mirë, atëherë duhet të pranosh se ke gabuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne po ndryshojmë dhe natyrisht, do të kishte qenë më mirë që Luis Suarez të nënshkruante për Juventusin në vend të Atletico Madrid, sepse ai është ende në kampionatin spanjoll. Por, ne duhet ta merrnim atë lloj vendimi, me të vërtetë të fortë, duke treguar respekt për lojtarin. Dhe unë mendoj se kjo është me të vërtetë e rëndësishme. Sidoqoftë, akoma jam dakord me atë që bëmë në atë kohë”.

SHKARKO APP