Koeman: Nuk i kuptoj kritikat për Realin, “El Clasico” nuk është vendimtare!
Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman doli në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para “El Clasicos”. Holandezi vlerësoi kundërshtarin dhe ka disa fjalë për kritikuesit e tyre. Ai u ndal tek gara për titullin kampion, mungesat si dhe komentoi fjalët e Klopp për stadiumin ku po luan aktualisht Reali.
“Dueli kundër Realit është ndryshe nga të tjerët. Ne po bëjmë mirë, jemi në drejtimin e duhur dhe po luftojmë për të fituar kampionatin. Ata janë kryqëzuar nga kritikat këtë sezon, por realisht janë ende në garë në Champions dhe në kampionat. Nuk mendoj të njëjtën gjë si ata që i kanë kritikuar.
Të dy ekipet e dinë rëndësinë nëse fitohet ky duel. Megjithatë, rezultati nuk do të jetë vendimtar sepse kemi dhe shumë ndeshje të tjera për të luajtur pas “El Clasicos”. Por, skuadra që do të fitojë nesër do të ketë një rritje të moralit për pjesën e mbetur të sezonit”.
Ne ishim më mirë në ndeshjen e parë, sidomos pas minutës së 30-të. VAR ndikoi tek rezultati me penalltinë e dhënë, por nuk është e vërtetë që ne ishim dobët atëherë dhe tani jemi më mirë. Normal që ekipi është përmirësuar, por duhet të luajmë ndeshjen tonë pa u ndikuar nga presionet.
Ne kemi nevojë për Leon më të mirë për të fituar, por kemi nevojë edhe për Barcelonën më të mirë. Duhet t’i bëjmë gjërat në mënyrë perfekte. Ata nuk do të kenë Varane dhe Ramos, por edhe ne kemi mungesa. Sergi Roberto dhe Gerard Pique, kanë qenë jashtë fushave prej një kohe të gjatë”, deklaroi Koeman.