Koliçi: Penalltinë e gjuajti i vetmi lojtar që nuk kisha studiuar, përjashtoj transferimin në Greqi

Heroi i Kukësit në Kishinjev, Enea Koliçi, është i bindur se kampionët e Shqipërisë mund ta përmbysin rezultatin ndaj Sherifit dhe të vazhdojnë rrugën në Champions. Njeriu që u “pagëzua” nga moldavët si monstër, për shkak të pritjeve të shumta, rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport” edhe detajin që i “shpëtoi” te penalltia, sepse Badibanga ishte lojtari i vetëm për të cilin nuk ishte përgatitur.

31-vjeçari flet edhe për situatën e sikletshme që ekipi kaloi në Vjenë, e cila në fakt, sipas tij, e motivoi më shumë skuadrën për ndeshjen me Sherifin. Portieri nuk e fsheh dëshirën për të veshur fanellën e Kombëtares dhe pohon se ka pasur bisedime me Okserrin në Francë. “Është njëri prej ekipeve që ka shfaqur interes konkret, ndërsa pista greke bie poshtë, pasi klubet helene kanë probleme ekonomike”, thotë ndër të tjera Enea Koliçi.

Enea, a e kishit menduar ndonjëherë që ndeshja do të shkonte në këtë mënyrë?

Swiss Digital Desktop Reklama

Si ekip ne në përgjithësi e kishim parashikuar që ndeshja mund të shkonte kështu, duke pasur përballë një kundërshtar të fortë si Sherifi, ekip i cili ka dalë 14 herë kampion në 17 vite në vendin e tyre, duke pasur dhe eksperiencë në Kupat e Europës. Pjesën e dytë ata ushtruan më tepër presion, që ne e kishim përballuar mirë dhe natyrisht që nëse do të ishim dhe pak më të përqendruar. E them me bindje se do ta kishim evituar humbjen, pasi patëm dhe ne rastet tona dhe treguam shumë karakter në atë ndeshje. Sa për anën personale, unë kam dhënë më të mirën time, siç e kam bërë gjithmonë në këto dy vite te Kukësi, por dhe më parë kudo që kam luajtur. Çdo gjë e kam bërë me dëshirë dhe vullnet të plotë për të dhënë më të mirën time, për të ndihmuar ekipin tim sa më shumë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për çfarë ju vjen më shumë keq nga ajo ndeshje?

Më vjen keq për rezultatin që morëm nga ajo ndeshje. Nuk e meritonim të humbnim. Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, pasi ne treguam se kush jemi, që nuk jemi më kot këtu, por natyrisht humbëm nga një gabim, ku Serran preku topin më dorë pa dashje, gjë që mund t’i ndodhë kujtdo në futboll. Meritonim barazim ashtu siç shkoi ndeshja, për këtë më vjen keq.

Keni pritur pa fund. Çfarë menduat kur Serran preku topin me dorë dhe arbitri akordoi penallti?

Kur mbrojtësi jonë preku topin me dorë dhe gjyqtari akordoi penallti kisha shumë besim se do ta prisja edhe penalltinë. Do t’ju rrëfej dhe një sekret: kam punuar shumë me trajnerin e portierëve dhe para dy ditësh kemi studiuar të gjithë gjuajtësit e penalltive, por për çudi në këtë ndeshje penalltinë e gjuajti i vetmi lojtar që ne nuk kishim studiuar. Ndodhi që ai ishte i vetmi që më mundi duke më shënuar. Vetëm ai lojtar më ka mundur në atë ndeshje, pasi të gjithë të tjerët i kam mundur unë. Ishte i vetmi lojtar nga Sherifi që fitoi duelin me mua. Po ta shikonit në momentin e penalltisë, ata patën një tip debati të vogël kush do ta godiste dhe për fatin e mirë të tyre e goditi lojtari që unë nuk kisha studiuar.

Mendoni se mund ta përmbysni Sherifin në ndeshjen e kthimit?

Besoj që i kemi të gjitha mundësitë që ta përmbysim rezultatin e ta kthejmë në favorin tonë, por gjithmonë nëse nuk do të pësojmë gol. Sherifi do të vijë këtu për të mbrojtur rezultatin, por kjo ndeshje luhet në Shqipëri dhe çdo gjë këtu është ndryshe. Do të luajmë në shtëpinë tonë, përballë tifozëve tanë. Do të provojmë me të gjitha mënyrat që të arrijmë të kualifikohemi dhe të ndreqim gabimin që ne bëmë në transfertë.

Zhvilluat një ndeshje mjaft pozitive, ndoshta mërzinë dhe lodhjen që ndodhi nga situata e ndalimit në Austri e kthyet në favorin tuaj, në forcë?

Ajo që ndodhi në Austri natyrisht që na mërziti pak, pasi kompanitë që kontrollojnë ndeshjet për shitblerje apo manipulime sulmojnë ekipe, apo shtete të vogla. Megjithatë, ne nuk kemi asgjë për të fshehur, pasi nuk bëjmë pjesë në klube të tilla. Ne treguam veten, treguam forcë dhe karakter, treguam se ne jemi Kukësi dhe luajmë për veten tonë, për fanellën, për të ecur para, jo për gjëra të tjera që nuk janë pjesë e jona. Nëse ne do të kishim humbur thellë, ata do të dyshonin prapë, por ne luajmë për veten tonë dhe fanellën tonë, për të arritur objektivat tona dhe çdo gjë u pa qartë.

Keni mbyllur dy sezone me Kukësin në nivele mjaft të larta, sidomos ky i fundit. A keni pasur oferta nga liga të forta europiane?

Preferoj që të luaj në një kampionat të fortë europian. Kam pasur mjaft oferta, por nga ana tjetër i kam dhënë fjalën dhe presidentit Gjici që do të jem te Kukësi deri në fund të Kupave të Europës, e në përfundim të tyre do të shohim.

Mund të na thoni me cilin ekip po bisedoni konkretisht?

Janë disa ekipe që kanë interes për mua, nga Liga e Parë franceze ka shfaqur interes konkret ekipi i Okserrit. Natyrisht që kam pasur biseda dhe nga shumë ekipe në Superligën greke, por jam munduar t’i shmang bisedimet me to, sepse duke e njohur mirë Greqinë, ekonominë dhe gjendjen financiare të klubeve nuk mund të rrezikoj, pasi përgjithësisht ekipet greke shfaqin probleme në këtë kohë nga ana financiare, ndaj e përjashtoj një kalim në shtetin helen, për shkak të situatës ekonomike. Preferoj një ekip europian tjetër në shtete të forta.

Po tani, a e synoni realisht Kombëtaren shqiptare?

Kombëtarja është ëndrra e çdo futbollisti dhe kur ke bërë një kampionat mjaft të mirë është e natyrshme që e synon. Por, unë së pari punoj shumë për veten time për të ndihmuar klubin ku militoj e pastaj nëse do të vijë Kombëtarja është gjëja më e mirë e që bën krenar çdo futbollist.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?