Kombëtarja niset drejt Turqisë, Edi Reja ka gati formacionin

Kombëtarja shqiptare është nisur mëmgjesin e sotëm drejt Turqisë ku nesër në mbrëmje do luajë ndeshjen e radhës të vlefshme për kualifikueset e Europianit. Atmosferta në kampin kuqezi duket mjaft pozitive, ndërsa trajneri Reja ka bërë gati edhe formacionin startues për këtë ndeshje të rëndësishme.

Sipas “Panorama Sport”, trajneri do t’i qëndrojë edhe këtë herë besnik modulit të tij të preferuar, që e nxori faqebardhë në përballjen ndaj Islandës.  Pavarësisht mungesave të rëndësishme në repartin e prapavijës (Hysaj-Mavraj), Reja do ta rreshtojë edhe një herë skuadrën në variantin 3-5-2.

Mbetet për t’u parë nëse lojtarët e repartit defensiv do t’i përgjigjen, pasi turqit janë shumë të shpejtë në zbritje në zonën kundërshtare. Pa Mavrajn dhe Hysajn do të thotë mungesë eksperience, por paraqitjet e kohëve të fundit të Gjimshitit, Kumbullës, Ismajlit, Dermakut dhe Veselit e ngrohin deri diku numrin një të pankinës, që pasditen e djeshme nisi provat gjenerale.

Nga çfarë la të kuptohej, Reja pritet të formojë një formacion thuajse të njëjtë me atë ndaj Islandës. Në mbrojtje Ismajli dhe Gjimshiti janë të sigurt, ndërsa në balotazh për një vend titullari janë Veseli, Dermaku dhe Kumbulla. Ky i fundit dje u stërvit veçmas grupit, por nuk bëhet fjalë për ndonjë problem serioz.

Ndërkohë, në mesfushë Reja do të vendosë pesë lojtarë, por jo në vijë të drejtë. Gjasula dhe Bare janë diga para mbrojtjes, ndërsa pak para tyre do të pozicionohet Memushaj. Ndërsa nga krahët do të luajnë Lenjani në të majtë dhe Roshi në të djathtë. Sulmi pritet t’i besohet dyshes Manaj-Cikalleshi, që bindi ndaj Islandës me gola.

SHKARKO APP