Kombëtarja U-21 fiton miqësoren ndaj Moldavisë, vendos eurogoli i Burak Alilit
Kombëtarja U-21 fitoi miqësoren e parë të nëntorit ndaj Moldavisë me rezultatin 1-0. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në qendrën stërvitore të Kombëtares moldave, në Vadul lui Vodă, ndërsa goli i fitores u realizua nga Burak Alili.
Shqipëria e nisi ndeshjen në sulm dhe që në minutat e para ishte pranë golit me Dodajn, por tentativa e sulmuesit kuqezi u ndal nga shtylla. Pak minuta më vonë, ishte sërish Dodaj që provoi me një goditje me kokë, por u ndal nga portieri.
Në minutën e 18-të, Shqipëria zhbllokoi rezultatin me Burak Alilin, i cili realizoi një eurogol nga goditja e dënimit. Kuqezinjtë provuan sërish dhe pas një aksioni të mirë i shkuan shumë pranë golit të dytë me Rrok Tomën, i cili u gjend i vetëm përballë portierit, por tentativa e tij u ndal.
Fraksioni i dytë nisi me një rast të rrezikshëm për Moldavinë, megjithatë Shqipëria mori sërish në kontroll lojën dhe u hodh në sulm për të shënuar golin e sigurisë. Gjatë pjesës së dytë trajneri Bushi aktivizoi edhe Selimajn, Dakën, Ramajn, Koten, Brrutin dhe Bashin.
Në fundin e takimit, kuqezinjtë patën një mundësi të artë shënimi me Selimajn, por goditja përfundoi jashtë. Kuqezinjtë administruan mirë avantazhin deri në fund dhe ndeshja u mbyll me fitoren 1-0 për Shqipërinë U-21. Kombëtarja U-21 do të luajë ndeshjen e dytë miqësore më 17 nëntor ndaj Ukrainës U-21 në “Elbasan Arena”, në orën 18:00.
KOHA JONË SONDAZH

