Kombëtarja zhvillon seancën e fundit para duelit me San Marinon, probleme fizike për një tjetër mbrojtës
Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e të martës seancën zyrtare stërvitore në prag të ndeshjes me San Marinon, që luhet të mërkurën mbrëma duke filluar nga ora 20:45 dhe është e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.
Stafi teknik me në krye trajnerin Edoardo Reja zhvilluan një seancë me intensitet të plotë në stadiumin e San Marino, ku edhe do të luhet sfida. Tekniku nuk kishte në dispozicion sulmuesin Florian Kamberi, i cili e ndoqi seancën nga tribuna, ndërsa probleme fizike ka pasur edhe mbrojtësi Ardian Ismajli.
Ky i fundit zhvilloi vetëm stërvitje të diferencuar nga grupi dhe është në dyshim për ndeshjen me San Marinon. Pozitive duket edhe situata e Odise Roshit me mesfushorin që zhvilloi stërvitje normalisht dhe nuk pati probleme fizike. Sa i përket Nedim Bajramit akoma nuk ka ardhur leja nga FIFA dhe ai nuk do të mund të debutojë as në ndeshjen me San Marinon.