Kosova bën paqe me Zvicrën, super gol i Muslijës
Kosova dhe Zvicra u ndanë në barazim 1-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në sfidën e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Pjesa e parë ishte e zbehtë në raste, ndërsa momenti i vetëm me peshë ishte kartoni i verdhë për Amir Rrahmanin në minutën e 10-të pas një ndërhyrjeje ndaj Embolos.
Vetëm një minutë më vonë, Muriqi provoi me kokë, por pa gjetur kuadratin. Pjesa e parë u mbyll pa gola, nën shoqërimin e vërshëllimave të vazhdueshme ndaj Granit Xhakës, si reagim ndaj komenteve të tij të fundit rreth lojtarëve që kanë zgjedhur Kosovën në vend të Zvicrës.
Starti i pjesës së dytë solli menjëherë golin e avantazhit për Zvicrën: Ruben Vargas finalizoi një aksion të shpejtë, pas asistit të Djibril Sow. Kosova reagoi në minutën e 74-t, kur Florent Muslija shënoi një supergol nga distanca, duke ndezur atmosferën në tribuna.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Zvicra e mbyll grupin e saj në krye me 14 pikë dhe siguron kualifikimin për Botërorin, ndërsa Kosova renditet e dyta me 11 pikë dhe do të kërkojë biletën e fundit nëpërmjet play-off-it që zhvillohet në mars.
KOHA JONË SONDAZH

