Kosova është e papërmbajtshme, mund me përmbysje Çekinë dhe merr kreun e grupit (VIDEO)

Kosova vazhdon rrugëtimin perfekt edhe në kualifikueset për në “Euro 2020”, duke arritur një fitore spektakolare 2-1 me përmbysje ndaj Republikës Çeke. Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes ka zhvilluar një tjetër ndeshje me një ritëm mjaft të mirë, edhe pse nuk kishte në dispozicion dy yje si Rashica dhe Arbër Zeneli.

 

Fillimi nuk ishte aspak i mirë për dardanët që e panë veten në disavantazh që në minutën e 16-të. Jankto jep një pasim të saktë për Patrik Schick, i cili me një goditje të lehtë me të majtën arrin që të mposhtë portierin Muric. Ky është goli i katërt për ish-sulmuesin e Romës në eliminatoret e “Euro 2020”. Reagimi ishte shumë i shpejt nga Kosova, që kanë gjetur menjëherë golin e barazimit. Në minutën e 20-të, Elbasan Rashani shkëputet mjaft mirë në krahun e majtë, pason në zonë për Muriqin, i cili me një devijim të vogël e dërgon topin në rrjetë.

Në fraksionin e dytë Kosova hidhet në kërkim të golit të avantazhit, të cilin do ta gjenin në minutën e 67-të. Valon Berisha befason mbrojtjen çeke nga një goditje nga këndi duke pasur për Vojvodën, i cili me një prekje të lehtë arrin që të shënojë golin e dytë. Dardanët pas golit ulin ndjeshëm ritmin, por janë me fat, pasi miqtë nuk shfrytëzuan shanset për shënim. Me këtë fitore Kosova ngjitet në kuotën e 8 pikëve pas 4 ndeshjeve të para, në vendin e parë, duke lënë pas Anglinë dhe Çekinë. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP