Kraja flet si trajner i Vllaznisë: Ndeshja me Kukësin përcakton gjithçka, besoj te futbolli i pastër!
Trajneri Ervis Kraja mund të kthehet në hero nëse do të shpëtojë Vllazninë nga rënia. Trajneri i ekipit të Vllaznisë B, që nga sot ka marrë drejtimin e ekipit të parë pas largimit të Gjokës. Numri një i stolit do të drejtojë dy ekipe deri në fund të këtij sezoni.
“Momentalisht është një situatë kritike për të dy ekipet, ku më i rëndësishëm është ekipi i parë ku shpresat për mbijetesë janë shumë të pakta, por jo të paarritshme. Kam shpresë dhe besim dhe me ndihmë të Zotit do ia dalim. Koha është e pakët dhe s’kemi mundësi korrigjimi. Them se ndeshja e radhës me Kukësin përcakton gjithçka ku ne duhet të fitojmë dhe duhet të presim futbollin e pastër në Kamëz. Kam besim te ekipi i Laçit që mund të marrë një rezultat pozitiv, ky ekip ka treguar se është shumë i fortë këtë sezon”, tregon Kraja për ekipin e parë.
Ai nuk harron as Vllazninë B, pasi e ka drejtuar gjatë gjithë vitit dhe shpreson që ky ekip të shpëtojë.
“Ditën e enjte do kemi një finale me Vllazninë B për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Duhet ta kalojmë me sukses për vetë vështirësitë që kemi pasur këtë sezon edhe pse në fund ndoshta s’do ketë shumë vlerë. Do mundohemi me një grup pune nga akademia Vllaznia ta çojmë deri në fund këtë sezon të vështirë për futbollin shkodran”, përfundon Ervis Kraja.
KOHA JONË SONDAZH

