Kroacia shumë e fortë për Nigerinë, Modric shënon gol jubilar (VIDEO)

Kroacia e ka nisur më së miri turneun e Kupës së Botës në Rusi, duke rrëmbyer një fitore në shifrat 2-0 ndaj Nigerisë në grupin D. Në minutat e para kombëtarja ballkanase luan mjaft mirë duke qenë në disa raste dhe kërcënuese në portën kundërshtare. Avantazhi vjen vetëm në minutën e 32-të, teksa nga zhvillimet e një goditje nga këndi, Perisic devijon topin te Mandzukic, i cili e shtyn në rrjetë, i ndihmuar dhe nga mbrojtësi i Nigerisë, Etebo.
Goli i jep qetësi futbollistëve të Dalic, ndërkohë që në krahun tjetër Nigeria vuan shumë në 45 minutat e para. Fillimi i pjesës së dytë është më i mirë për Nigerinë, ndërkohë që Kroacia rigjen ritmin e lojës pas futjes në fushën e lojës të Brozovic, i cili freskon mesfushën, dhe i jep mundësinë Modric për të luajtur disa metra më përpara.
Këmbëngulja e kroatëve do të shpërblehet në minutën e 72-të, pasi do të fitojnë një 11-metërsh pas një faulli te Ekong ndaj Mandzukic. Nga pika e bardhë shkon Luka Modric, i cili ka shënuar golin e dytë për ekipin e tij, duke hipotekuar thuajse fitoren në ndeshjen e sotme. Mesfushori në fakt ka shënuar një gol jubilar në Kupën e Botës, pasi ishte rrjeta e 2400 në histori. Pas kësaj fitoreje Kroacia ngjitet në krye të grupit D me 3 pikë, e ndjekur nga Argjentina dhe Islanda me nga 1. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

