Kryebashkiaku Veliaj flet për masat për 25 majin: Po ndiqet i njëjti protokoll si në vizitën e Xhorxh Bush dhe Papa Françeskut
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka treguar detaje nga organizimi për finalen e Conference League mes Romës e Feynoord-it.
Veliaj tha se në disa zona të kryeqytetit po krijohen hapësira “fan zone”, ku tifozët do të ndjekin në atmosferë festive ndeshjen.
“Në sheshin Skënderbej do të jetë një fan zonë për familjarë, pak më neutrale, për ata që e duan sportin. Ndërkohë po përgatiten dhe dy fan zone të tjera, që është pedonalja e Tiranës, nga Ministria e Brendshme te Parlamenti. Do të jetë te zona e liqenit tifozëria e Romës.
Do të vijnë mijëra tifozë për të ndjekur ekipin. Kanë filluar përgatitjet e fundit, nesër hapim zyrtarisht ceremoninë. Në darkë do të ketë mbrëmje për të ftuarit. E rëndësishme është që të kalohet mirë. E mërkura është festë zyrtare. Nuk ka arsye apo nevojë që të vihet në qendër të Tiranës.
Nuk do të qarkullohet në unazën e vogël me makinë. Mezi presim qytetarët nga e gjithë Shqipëria, por nuk vijnë dot në qendër të Tiranës. Duam që e mërkura të jetë e gjitha ditë feste dhe të japim një imazh të mirë për Tiranën dhe Shqipërinë. Të njëjtin protokoll kemi zbatuar kur ka ardhur George Bush, Papa Françesku”, tha Veliaj
Më tej kryebashkiaku theksoi se hotelet e kryeqytetit, në Durrës, Elbasan, Krujë e madje deri në Shkodër janë të zëna për këtë ndeshje të rëndësishme.
“Jo vetëm që të gjitha hotelet janë plot, janë zënë shumica e hoteleve të Elbasanit, Durrësit, Vorës dhe Durrësit. Madje dhe hotelet deri në Shkodër. E gjithë Shqipëria e ka mundësinë për të bërë biznes dhe treguar fytyrën evropiane. E di që ka pasur debate për çështjen e hoteleve. U lutem gazetarëve shqiptarë, pronarët e portaleve që të mos nxitohen. Çmimi vendoset përmes një algoritmi dhe kështu ndodh kudo në botë. Ky është momenti që edhe për ata që janë cinikë t’i lëmë këto muhabete. Asnjë nuk shan Parisin sepse e kuptojnë që në një botë globaliste kështu funksionojnë”, u shpreh kryebashkiaku.
Veljaj tregoi më tej se të gjitha biletat e ndeshjes janë shitur nëpërmjet një sistemi të menaxhuar online, ndërsa shtoi se për fan zonat do të ketë ekrane gjigante, pasi në Shqipëri sipas tij do të vijnë mijëra tifozë nga të dyja ekipet, për të ndjekur nga afër ekipin e zemrës.
KOHA JONË SONDAZH

