Kryeministri: Së shpejti një federatë speciale për sportin shkollor
Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit të zhvilluar në Kryeministri, për promovimin e bashkëpunimit Qeveri-FSHSSH për masivizimin e edukimit fizik dhe sportit në shkollat e vendit, prezantoi ngritjen e një federate speciale për sportin shkollor.
Kryeministri u shpreh se shifrat për qytetarët që merren me aktivitet fizik në Shqipëri, janë vërtet shqetësuese.
“Bashkë me rënien e regjimit ka filluar një rritje e pandalshme e dhjamit në gjak. Po të peshojmë popullin shqiptar sot dhe ta vëmë në peshore me atë që ishte dje, jemi mbipeshë. Kjo ka të bëjë me shumë elementë, por lidhet edhe me mungesën e lëvizjes sportive. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik Shqiptar, tregojnë se jemi 54.4 % mbipeshë. Kemi vetëm 4% të popullsisë që merret me aktivitet fizik, nuk e ka askush tjetër. Fatkeqësia më e madhe është se nëse e përthyejmë 4% në shtresa popullsie, do të shikojmë që aktivizimi në mënyrë të rregullt fizik tek rinia është edhe më pak, nën 4%.”- deklaroi Rama.
Kryeministri pohoi se qeveria e tij do të vijojë mbështetjen për sportin, duke përmendur ndërtimin e Pallatit të ri të sportit dhe pishinën olimpike të mbyllur.
“Qeveria e mëparshme investoi në 8 vjet 80 mijë euro për sportin, për infrastrukturën sportive. Ne, vetëm nga buxheti i shtetit, në dy vitet e fundit kemi investuar 25 milionë dhe prap është shumë pak.”- u shpreh Rama.
KOHA JONË SONDAZH

