Kryeqyteti mirëpriti Maratonën e Tiranës, morën pjesë mbi 2500 garues nga 40 shtete të botës

Veliaj: “Fituam të gjithë, fitoi qyteti edhe vendi ynë”; Nikolla: “Maratona, në ritmin e punëve të qytetit”

Kryeqyteti ka mirëpritur me sukses, për të tretin vit radhazi, Maratonën e Tiranës, duke e kthyer në një traditë të bukur organizimin e një prej garave më të vjetra dhe masive në botë. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 2500 vrapues, 350 nga të cilët të huaj, nga 40 shtete të ndryshme, garuan në tre kategori: “We too”, “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”.

Në kategorinë “Half Marathon” (21, 0975 km) fitues u shpallën Abel Kibet Rop nga Kenia dhe rekordmenia shqiptare, Luiza Gega. Ndërkohë, Nelson Kipkogei nga Kenia dhe Ruth Nundu Mbatha po nga Kenia, ishin fituesit e garës në kategorinë “Tirana 10K”. Bledar Suxha u shpall fitues i garës për personat më aftësi të kufizuara, We Too.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa i dorëzoi çmimin fitueses së garës prej 21 kilometra për femra, Luiza Gegës, u shpreh se Tirana fitoi gjithashtu garën e saj sa i përket organizimit dhe festës sportive. “Nuk morëm shumë çmime, por atë që morëm e qamë, dhe besoj se çmimi më i madh është për të gjithë ata që përfunduan garën. Në fund fituam të gjithë, fitoi qyteti edhe vendi ynë. Faleminderit të gjithëve nga zemra”, tha ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla, e cila i dorëzoi çmimin e parë fituesit të garës 21 km për meshkuj, vlerësoi organizimin e kësaj maratone që i ka dhënë qytetit një emër pozitiv në botë. Nikolla u shpreh entuziaste se ritmi i punëve të qytetit po përcillet edhe në një standard të ri në organizimin e maratonës. “Është fitore e madhe për qytetin, për Shqipërinë, që në fakt maratonomaku i punëve të këtij qyteti, Erion Veliaj, i ka dhënë Tiranës dhe Shqipërisë. Ndaj, kjo krenari e rimit të punëve të qytetit po përcillet edhe një standard i ri në organizimin e maratonës, kësaj energjie, këtij shpirti gare, por edhe një jete të shëndetshme përmes sportit”, deklaroi Nikolla.

Në nisje të garës, kryebashkiaku Veliaj theksoi faktin se Maratona e Tiranës është një ngjarje sportive ku garojnë jo vetëm sportistë, por ku promovohen kauza të ndryshme shoqërore, siç është edhe ajo e njerëzve me aftësi ndryshe. Ai falenderoi të gjithë vullnetarët, Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, emergjencat, që u kujdesën për mbarëvajtjen e maratonës. “Ka një ushtri me njerëz të cilët janë vendosur përgjatë gjithë itinerarit. Ata janë vullentarët tanë, policia bashkiake, policia rrugore, emergjencat, infermierët, të gjithë ata që kanë punuar tek Liqeni, i cili për herë të parë është bërë pjesë e këtij itinerari. Jemi një qytet mirënjohës, ndaj dua që secili të ndjehet i falenderuar”, tha Veliaj.

Fituesit e Maratonës së Tiranës 2018

Kategoria Half Marathon (21, 0975 km)

Femra 21 km :
Vendi i I – Luiza Gega (Shqipëri) 01: 14’’ 18’’
Vendi i II – Agnes Chebet (Kenia) 01: 14’ 56’’
Vend i III – Christine Moraa Oigo (Kenia) 01: 15’ 59’’

Meshkuj 21 km:
Vendi i I – Abel Kibet Rop (Kenia) 01: 05’ 13’’
Vendi i II – Hosea Kiplagat Tuei (Kenia) 01:05’ 45’’
Vend i III – Evans Kipngetich Tanui (Kenia) 01: 07’ 12’’

Kategoria “Tirana 10K”

Femra 10 km:
Vendi i I – Ruth Nundu Mbatha (Kenia) 00: 36’ 41’’
Vendi i II – Hellen Jepkosgei Kimutai (Kenia) 00: 37’ 19”
Vend i III – Zita Kecser (Hungari) 00: 38’ 10’’

Meshkuj 10 km:
Vendi i I – Nelson Kipkogei Cherutich (Kenia) 00:32’ 31’’
Vendi i II – Matheë Kosgei (Kenia) 00: 32’, 59’’
Vend i III – Moses Kipruto Kibire (Kenia) 00:33’ 20’’

Kategoria “We too”
Vendi i I – Bledar Suxha (Shqipëri) 00:12’ 00’’
Vendi i II – Erblin Karaj (Shqipëria) 00: 12’ 08’’
Vendi i III – Dovlet Xhangolli 00:12’ 17’’

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?