Kthesë e papritur, Guardiola i komunikon drejtuesve të ardhmen
Man.City rrezikon të mbetet pa Champions League në dy sezonet e ardhshme, kjo pasi është ende çështje në zhvillim, në një kohë kur “qytetarët” kanë njoftuar se do të ndjekin të gjithë hallkat për të shfuqizuar atë vendim të dhënë nga UEFA pak ditë më parë. Jo vetëm kaq, Man.City rrezikon të humbas titullin në sezonin 2014, rrezikon të humbas një pjesë të mirëve të yjeve përfshi dhe trajnerin Pep Guardiola, një situatë e paprecedentë e cila ndryshon shumë balancat në Premier League por ndez përpara kohe edhe merkaton. Prej kohësh është diskutuar shumë për të ardhmen e teknikun katalunjas, ndërsa ky vendim i UEFA-s përforcon dhe më shumë zërat që e shohin larg ishullit britanik.
Ndryshe nga ky perceptim, “ESPN” dhe “The Times” vijnë këtë të hënë me një version ndryshe dhe sigurisht të bujshëm. Sipas dy prestigjiozeve: Guardiola i ka komunikuar drejtuesve të Man.City se nuk ka ndërmend të largohet, me apo pa Champions League. Pep është i bindur se dënimi i dhënë nga UEFA, për shkelje të rregullave të “Fair Play financiar”, do të shfuqizohet, edhe nëse kjo nuk ndodh, ia ka bërë të qartë si drejtuesve ashtu edhe lojtarëve se ka ndërmend të respektoj kontratën e cila i skadon më 2021.
Si një kapiten i vërtetë, Pep nuk dëshiron të braktis anijen, e sheh si një mungesë respekti, për të ardhmen ka ende kohë. Ndryshe nga Guardiola, mbetet për tu parë se çfarë do të vendosin një pjesë e mirë e titullarëve, të cilët dhe pse nën kontratë vështirë se mund të qëndrojnë tek Man.City pa mundur të luajnë në Champions League.