Kukeli: Refuzova Shqipërinë për të shkuar me pushime, nuk e prisja të më ftonin sërish!
Një nga çelësat e suksesit të trajnerit De Biasi dhe që na dërgoi në Europianin e vitit 2016, ishte padyshim edhe Burim Kukeli. Mesfushori ishte një pikë referimi në Kombëtaren tonë, duke arritur të neutralizojë shumë yje me të cilët u përballëm në grupin kualifikues. Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Regiofusball”, ai ka rrëfyer historinë e suksesit me Shqipërinë dhe arsyen se përse e refuzoi fillimisht.
“Unë e refuzova ftesën e parë të kombëtares, pasi më kontaktuan vetëm tri ditë para se të shkoja në pushime. U thashë: ‘Më vjen keq, nuk mundem, kam rezervuar pushimin’. Më pas nuk llogarita një ftesë tjetër”, tregon Kukeli.
Por, disa javë më vonë erdhi mesazhi nëse “A ke dëshirë që të luash me kombëtaren?”. Ai e pranoi menjëherë ftesën e ardhur nga De Biasi.
“Në këtë kohë përjetova çdo gjë që mund të përjetosh në futboll. Kundër Portugalisë, si Shqipëri nuk ke fare gjasa. Portugalia është në një nivel tjetër. Por, si skuadër arritëm që të mposhtnim Portugalinë.
Ronaldo? Nuk kishte shenja arrogance, shumë miqësor. Siç janë krejt yjet e mëdhenj. Më të vështirë janë lojtarët që nuk e kanë arritur nivelin më të lartë, por që mundohen të sillen si të tillë.
Europiani? Para ndeshjes në Evropian me Zvicrën i thashë vetes: Shijoje momentin, edhe ashtu ke fituar. Ka qenë diçka shumë e bukur. Zviceranët dhe shqiptarët festuan së bashku në stadium. Në fushë ishte mjaft ndeshje e fortë, por edhe korrekte. Mendoj se kjo ndeshje u ka bërë shqiptarëve në Zvicër mirë, por edhe unë si zviceran kam fituar 1:0..
Franca? Ishte skuadër gjigante. Një kualitet të tillë nuk kam parë kurrë. Pogba u aktivizua vetëm në pjesën e dytë dhe menjëherë ndryshoi ritmi i lojës Për mua Evropiani ishte si një vizitë në një botë tjetër. Shkoi shumë shpejt”, u shpreh Kukeli.