Kukësi 5 miqësore në Austri, trajneri i ri pritet të jetë Bylbyl Sokoli

Me 99 % kandidati numër 1 për t’u bërë trajner i Kukësit është shqiptari nga Kosova dhe ish-trajneri i Prishtinës Bylbyl Sokoli.  

Kukësi është në kërkim të një trajneri. Miodrag Radanoviç dhe Ivan Gvozdenoviç nuk do jenë më në “timonin” e verilindorëve, ndërkohë që së fundi ra edhe pista “Magani”. Në lojë mbetet Bylbyl Sokoli, trajneri prishtinas. Pas një takimi me presidentin Safet Gjici, dy drejtuesit e pankinës kuksiane janë larguar më mirëkuptim nga drejtimi i ekipit , pasi nuk përmbushën objektivin, fitimin e Kupës së Shqipërisë.

Radanoviç e drejtoi Kukësin në katër ndeshjet e fundit të Superligës dhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, teksa erdhi në pankinë pas largimit të Artim Shaqirit. Ekipin nën-kampion të vendit përkohësisht po e drejton Marcelo Troisi, që ka qenë zv. trajner dhe drejtor teknik për disa kohë. Presidenca po shqyrton kandidaturat e mundshme për postin e trajnerit. Deri tani kanë nënshkruar zyrtarisht Bruno Tejeci dhe Përparim Islami, dhe në formë huazimi për “Europa League” ka ardhur Gentian Muça. Është larguar nga Kukësi Albi Dosti.

 Të martën nis faza përgatitore në Austri, ku janë planifikuar të zhvillohen edhe pesë miqësore. Pra, verilindorët “fluturojnë” nesër drejt Austrisë për një fazë përgatitore dyjavore. Në këtë fazë të rëndësishme stërvitore, në prag të “Europa League”, stafi do të provojë dhe lojtarë të rinj, që duan të veshin fanellën e Kukësit. Natyrisht, kur ata bëjnë diferencën, mund të jenë pjesë e ekipit.

SHKARKO APP