Kukësi i shkakton disfatën e parë Vllaznisë, Partizani mund me “poker” Skënderbeun
Kukësi i shkakton disfatën e parë sezonale Vllaznisë, duke e zbritur dhe nga vendi i parë, që tashmë mbahet me pikë të barabarta nga Partizani. Verilindorët triumfuan 4-2 në “Loro Boriçi”. Sfida në fakt nisi më mirë për kuqeblutë që kaluan në avantazh që në minutën e katërt me Dunga, por reagimi i Kukësit do të ishte i shpejt. Ibrahimi do të realizonte dy gola në harkun e pak minutave, njërin prej tyre nga pika e bardhë. Vllaznia kërkoi me ngulm golin e barazimit, por verilindorët do të realizonin edhe të tretin me Eze. Hoxhaj u përpoq të rikthente në lojë kuqeblutë në fund, por Limaj do t’i kundërpërgjigjej në kohën shtesë.
Partizani vijon ecurinë shumë pozitive në kampionat, teksa ditën e sotme mori një fitore të thjeshtë 4-0 ndaj Skënderbeut. Ilir Daja mposhti ish skuadrën e tij. Të kuqtë zhbllokuan rezultatin që në minutën e 7-të me Jurgen Bardhin, i cili shfrytëzoi më së miri një pasim të Malës. Në minutën e 21-të, do të ishte pikërisht ky i fundit që do të ekzekutonte në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Në minutën e parë të shtesës së pjesës së parë, Lucas Cardoso realizoi dhe golin e tretë duke i dhënë thuajse goditjen përfundimtare. Në pjesën e dytë do të kishte kohë edhe për një tjetër gol të Solomon. /R.Lika-Koha Jone/