Kukësi “luan tenis” me Shkumbinin, Partizani dhe Luftëtari bëjnë detyrën
Sot janë zhvilluar 3 ndeshjet e kthimit të fazës së 1/16-ave në Kupën e Shqipërisë, teksa Kukësi, Partizani dhe Luftëtari kanë bërë detyrën në duelet e tyre, duke u kualifikuar për në raundin tjetër.
Skuadra verilindore pas triumfit 1-3 në Peqin, u dha sërish besim të rinjve dhe atyre që kanë luajtur më pak në këtë fillim sezoni, por kjo nuk e pengoi Kukësin që të triumfojë me rezultatin e thellë 6-0. Marko Van Basten Çema ishte protagonist te verilindorët, pasi arriti të shënojë 3 herë në portën e skuadrës peqinase, ndërsa goleada u kompletua me golat e Mirlind Dakut, Domit dhe Rashës, me Kukësin që kalon kështu në fazën e 1/8-ave.
Edhe Partizani e kishte një formalitet, pasi është mjaftuar me një sukses minimal 1-0 pas triumfit 3-0 në ndeshjen e parë ndaj Vorës. Trajneri Lerda kishte lënë pushim një pjesë të madhe të atyre që luajtën në derbi, duke u dhënë mundësi të tregojnë veten edhe lojtarët që kanë pasur pak hapësira, teksa golin e fitores e shënoi Bruno Telushi me penallti në pjesën e dytë.
Fitore me rezultatin e ngushtë 2-1 mori edhe Luftëtari i trajnerit Marantas, në sfidën përballë cërrikasve të Turbinës, me gjirokastritët që vazhdojnë më tej me rezultatin e përgjithshëm 3-1, falë fitores 0-1 në Cërrik dy javë më parë. Rapo me penallti dhe Vyent shënuan për bluzinjtë gjirokastritë sot, ndërsa Turbina gjeti golin e vetëm të takimit në pjesën e dytë me anë të Peqinit, por pa arritur të rihapë shpresat për kualifikim.
Nesër në orën 14:00 do të luhen edhe të gjithë ndeshjet e mbetura të fazës së 1/16-ave të Kupës së Shqipërisë.