Kukësi mund Tiranën dhe mban gjallë shpresat për titull

Kukësi nuk është dorëzuar ende për titullin kampion. Verilindorët do të merrnin një fitore të pastër 2-1 në “Selman Stermasi”, duke mbajtur ende të hapur garën për titullin kampion.

Ndeshja nisi me shumë ritëm, por rastet për shënim do të ishin të pakta. Në minutën e 20-të, Hoxhallari shpëton një gol të sigurt pas një goditje të Rrocës, duke larguar topin nga zona e tij. Skuadra e Shehit është më këmbëngulëse në fraksionin e parë, teksa Ethemi pas një inkursioni nga krahu i majtë rrezikoi portën e portierit Lika, i cili e neutralizoi. Talenti i Kukësit u shfaq sërish i rrezikshëm duke shpërdoruar një mundësi tjetër në minutën e 39-të. Tirana kundërpërgjigjet 4 minuta më pas, duke shpërdoruar një shans me Cobbinah i cili nuk shërbeu si duhet në zonë për sulmuesin Ngoo.

Edhe në fillimin e pjesës së dytë, sulmuesi anglez do të humbiste një shans tjetër me një penallti në lëvizje që shkoi në duart e portierit Xhika. Në krahun tjetër verilindorët humbasin një shans me Cooper që nuk mundi ta devijonte topin në rrjetë pas një krosimi të Kotobellit. Sulmuesi do të korrigjonte shënjestrën në minutën e 59-të, duke arritur që të mposhtë më në fund portierin Lika.

Skuadra e Egbo tentoi që të reagonte, por e pati shumë të vështirë për të thyer rreshtimin e saktë të trajnerit Shehi. Në krahun tjetër Kukësi është shumë më konkrete në lojën e saj, duke arritur që të realizonte edhe golin e dytë 6 minuta nga fundi i ndeshjes. Ethemi merr një top të bukura në hyrje të zonës, teksa me një parabël shumë të bukur do ta dërgonte topin në cepin e portës.

Bardheblutë do të zgjoheshin me shumë vonesë, teksa vetëm në sekondat e fundit, do të realizonin një gol nderi me Ngoo. Kukësi me këtë fitore tashmë ka 65 pikë, 6 më pak se ekipi i bardhebluve, kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi i kampionatit. Forma e javëve të fundit, mund të bëjë që skuadra verilindore të vijojë të ëndërrojë ende te titulli i dytë  kampion. /R.Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP