Kukësi, serbi Gvozdenoviç ndihmës-trajner, pas Dalipit Shaqirit i kërkohet largimi
Situata jo e mirë që po kalon ekipi i Kukësit pas dy barazimeve dhe një humbje në javët e fundit ka detyruar presidentin Safet Gjici të bëjë edhe disa ndryshime në staf. Gjatë mbledhjes së fundit presidenti i ekipit verilindor ka emëruar si trajnerin e dytë mbrojtësin serb të skuadrës, Ivan Gvozdenoviç. Futbollisti serb i ka varur kështu këpucët në gozhdë dhe me tej do të jetë numri 2 i pankinës kuksiane. Edmond Dalipi mbante këtë post, por është shkarkuar pas humbjes me Tiranën. Burime brenda klubit konfirmojnë se Safet Gjici u ka dhënë urdhër futbollistëve që të dëgjojnë me kujdes këshillat e Gvozdenoviç dhe t’i binden atij njësoj sikur të ishte trajneri i parë i ekipit. Gjithashtu mësohet se trajnerit Artim Shaqiri i është kërkuar dorëheqja pas humbjes me Tiranën, mirëpo ai nuk e ka pranuar një të tillë, pasi është në kontratë dhe ka garantuar se do ta fitojë titullin kampion. Në këto kushte, Gjici i ka përgatitur një pasues Shaqirit, të cilit i ka vënë kusht që të fitojë tre ndeshjet e radhës dhe të marrë kryesimin e humbur një javë më parë, pas disfatës 0-2 me Tiranën.
KOHA JONË SONDAZH

