Kukësi shkëputet nga rivalët, Partizani e kërcënon nga Fieri

Tirana i dorëzoi sot kreun Kukësit, në Kategorinë Superiore, pa kaluar as 24 orë. Bardheblutë fituan dje ndeshjen e parë të javës së 20-të, ndaj Flamurtarit, 1-0, me gol të Ndikumana dhe morën përkohësisht kreun e klasifikimit. Por në ndeshjet e sotme, siç pritej, Kukësi fitoi lehtësisht ndaj Elbasanit 3-0 dhe u ngjit i vetëm në krye, madje duke thelluar diferencën në 3 pikë me vendin e dytë, që tashmë mbahet nga kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri Gugash Magani. Kjo për faktin se Skënderbeu që ndiqte Kukësin, u ndal në barazim pa gola me Laçin në shtëpi, dhe zbriti në vend të tretë, katër pikë larg kryesuesve.  Ndeshja e fundit, e javës së 20-të mes Apolonisë dhe Partizanit, përfundoi 2-0 në favor të të kuqve. Kështu, Partizani barazoi me pikë Skënderbeun dhe mbetet katër pikë larg kryesuesve.

Apolonia – Partizani, 0-2  

Në Fier, Partizanit i kanë mjaftuar 11 minuta lojë, për të marrë maksimumin e pikëve ndaj Apolonisë. Goli që zhbllokon sfidën erdhi shumë  shpejt, kur në 6’, Mazrekaj dhuron një asist për Emiliano Vilën, ndërsa sulmuesi goditi menjëherë duke kaluar Partizanin në avantazh. Apolonia e goditur psikologjikisht nga goli, ndëshkohet sërish nga Partizani, vetëm 5 minuta më vonë. Nexhipi harkoi një top në zonë pas një goditje dënimi dhe Rrahmani kërcen me kokë, duke shënuar golin e dytë të sfidës. Në minutat e mbetura Partizani administroi rezultatin, ndërsa Apolonia pavarësisht përpjekjeve, nuk mundi dot të shkurtonte qoftë edhe diferencën e golave. I rikthyeri Andi Ribaj pati raste në pjesën e dytë, por nuk ia doli dot të shënonte pasi u ndal nga mbrojtja “e blinduar” e të kuqve. Kjo humbje i jep Apolonisë një goditje të forta në ambiciet e saj, për të qëndruar në Kategorinë Superiore.

Swiss Digital Desktop Reklama

 

Swiss Digital Mobile Reklama

 

Teuta – Vllaznia 2-1

Kur duheshin edhe katër minuta nga mbyllja e ndeshjes në “Niko Dovana” të Durrësit, sulmuesi librazhdas i ardhur gjatë merkatos së dimrit nga Elbasani tek Teuta, Mirel Çota, shënoi golin e fitores në favor të “djemve të detit”  duke i dhënë tre pikë të çmuara skuadrës vendase. Teuta fitoi ndaj Vllaznisë, 2-1, ndërkohë që golin e parë për vendasit e shënoi një shkodran, Ansi Nika, në 40’. Ky i fundit realizoi me një 11-metërsh që e fitoi vetë, pas një pengimi në zonë. Uruguaiania Soza barazoi shifrat për Vllazninë, në pjesën e dytë, në 69’, pas një gabimi të portierit Osmani, por shkodranët nuk mundën dot ta mbanin barazimin, prej presionit dhe dominimit të lojës nga Teuta, në fund të ndeshjes.  

Kukësi -Elbasani 3-0

Kukësi, për shkak të dënimit të stadiumit, priti në “Ymer Zeqiri” pa praninë e tifozëve të vet Elbasanin e vendit të fundit,  por ky fakt nuk e penalizoi atë që të seleksiononte fitoren e dytë radhazi për këtë vit dhe të mbajë kreun e klasifikimit. Ndeshja nisi me gol, teksa kroati Pero Pejiç zhbllokoi shifrat që në 3’. Goli i dha më shumë besim ekipit të drejtuar nga Artim Shaqiri, që me të njëjtin lojtar, realizoi edhe dy gola të tjerë, duke fituar lehtësisht 3-0, ndaj Elbasanit.  Në 52’ Hysa pason për kroatin shtatëlartë, që mposhti portierin Koçi, për herë të dytë. Pesë minuta para se të mbyllej ndeshja, Pejiç shënon edhe golin e tretë, duke vulosur rezultatin. Sulmuesi kroat marshon me këtë tripletë i sigurtë drejt trofeut personal të “Këpucës së Artë”, teksa ka shënuar 13 gola, ndërsa Kukësi mban vendin e parë, tani i shkëputur nga rivalët, Tirana, Skënderbeu e Partizani. Humbja për Elbasanin, do të thotë se shanset e mbijetesës janë edhe më të pakta. 

Skënderbeu-Laçi 0-0

Skënderbeu  priti Laçin, në shtëpi, por kampionët në fuqi lanë dy pikë të çmuara pasi nuk shkuan më tepër se barazimi i bardhë pa gola. Skënderbeut i mungonte në këtë ndeshje Peter Olaianka, i  pezulluar me katër muaj, ndaj edhe trajneri Mirel Josa aktivizoi nga minuta  e parë Sefën e Martins. Skënderbeu rrezikoi disa herë portën në pjesën e parë, por pa gjetur dot rrugën e rrjetës. Sefa shënoi në pjesën e dytë, por gjyqtari e anuloi golin e tij, për shkak të një faulli ndaj portierit Vujadioviç. Sefa humb edhe raste të tjera të pastra para portës laçiane, sikurse edhe Martins e Berisha, ndërkohë që Laçi del më i fituar nga kjo sfidë, me një pikë të artë. Në kushtet e motit, dhe të ftohtit kjo sfidë u zhvillua në prani të një numri të paktë të tifozëve vendas.

 

 

 

Kategoria Superiore

Java e 19-të/Të shtunën

Apolonia – Partizani        0-2

Shënues: Vila 6’ Rahmani 11’

Kukësi-Elbasani               3-0

Shënues: Pejiç 3′ 54′ 85;

Skënderbeu-Laçi             0-0

Teuta-Vllaznia                 2-1

Shënues:  Nika 42’, Çota 86’/ Soza 69’

Apolonia-Partizani, ora 17:00

Dje

Tirana-Flamurtari              1-0

Shënues: Ndikumana 85’ (Elbasan Arena)

Klasifikimi

Kukësi             44

Tirana              41

Skënderbeu       40

Partizani            40

Laçi                  29

Flamurtari         25

Vllaznia            23

Teuta              19

Elbasani           9

Apolonia          9 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?