Kumbulla “fluturon” në Seria A, shënon dhe vendos dy rekorde (VIDEO)

Marash Kumbulla po shkruan historinë në futbollit italian dhe atë europian. Mbrojtësi i kombëtares sonë ka shënuar golin e parë në karrierë në Seria A duke i dhënë 3 pikë skuadrës së tij në suksesin 2-0 ndaj Sampdorias. Talenti ka shpërthyer këtë sezon në elitën e futbollit italian duke i ngjitur me shumë shpejtësi shkallët, për t’u bërë jo vetëm një titullar i padiskutueshëm te Verona, por edhe një nga talentet më premtues në këtë kampionat.

 

“Provat gjenerale” i dha ndaj Milanit, duke futur në “xhep” Piatek për 90 minuta, dhe disa ditë më pas zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj Juventusit, edhe pse u ndëshkua me dy kartonë të verdhë. Kumbulla u bë protagonist ndaj Sampdorias në minutën e 9-të, duke fluturuar me kokë pas një goditje këndi të ekzekutuar mjaft mirë nga Veloso. Futbollisti shkodran ishte i vendosur në shtyllën e parë duke i vjedhur kohën kundërshtarëve, por ky gol nuk ishte i zakonshëm.

 

Lojtari kombëtares sonë vendosi edhe disa rekorde. Ai u bë mbrojtësi më i ri që ka gjetur rrugën e rrjetës gjatë sezonit 2019/2020 në 5 kampionatet kryesore europiane dhe i pari që ka lindur pas janarit të vitit 2000 që arrin të shënojë një gol në Seria A. “Ishte vërtet një emocion i madh. Jam shumë i lumtur dhe shpresojmë që të fitojmë sa më shumë duele të mundshme. Quagliarella? Bukur të luash ndaj kampionëve të tillë”, deklaroi Kumbulla për mediat italiane.

Nuk ishte vetëm goli i shënuar pasi Kumbulla ishte shumë i saktë në veprimet mbrojtëse, duke formuar një dyshe shumë solide me kapitenin e Kosovës, Rrahmani-n. Në Itali tifozët dhe mediat kanë filluar që ta cilësojnë si Chiellinin e ri dhe në fakt nuk e kanë aspak gabim, pasi stili i lojës është i ngjashëm. Shumë shpejt me këto ritme ai do të luajë në një nga ekipet më të mëdha në botë.

Kujtojmë që 19-vjeçari është ftuar edhe nga kombëtarja jonë në grumbullimin e fundit nga trajneri Reja, dhe me prezantimet e shkëlqyera, pritet që të jetë titullarë në dy duelet e radhës së ndaj Turqisë dhe Moldavisë, pasi përshtat mjaft mirë në vendosjen me tre mbrojtës. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP