Kumbulla: Ndeshja me Serbinë vendimtare, në Shqipëri të gjithë thonë se do të shkojmë në Botëror

Pas një sezoni mbresëlënës në Spanjë me fanellën e Espanyolit, Marash Kumbulla është gati për t’u rikthyer te Roma. Mbrojtësi shqiptar, i cili u huazua nga verdhekuqtë verën e kaluar, ka treguar formë të shkëlqyer dhe është bërë një titullar i padiskutueshëm në formacionin e trajnerit Gonzalez.

Në një intervistë për Tuttomercatoweb, Kumbulla foli për përvojën e tij në La Liga dhe për të ardhmen që mund ta çojë sërish në Olimpico. Me 30 paraqitje dhe 3 gola të shënuar në kampionat, qendërmbrojtësi nga Shqipëria ka qenë një nga pikat kyçe të Espanyolit, që aktualisht ndodhet me 39 pikë dhe vetëm një hap larg sigurimit të mbijetesës, pesë javë para fundit të sezonit.

“Jam krenar për kontributin tim këtë vit dhe do të jetë një kënaqësi e madhe nëse do kem mundësinë të rikthehem te Roma,” u shpreh Kumbulla, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi te skuadra ku ka luajtur përpara huazimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

A e flet mirë spanjishten, e ke studiuar?
Të them të drejtën, nuk e kam studiuar shumë. E kam mësuar më shumë duke folur me shokët e skuadrës, ishte mjaft e lehtë dhe natyrale. Pas një muaji e gjysmë flisja pa problem me ta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sa e rëndësishme ishte të rigjeje vazhdimësinë pas dëmtimit të keq në gju?
Shumë e rëndësishme. Kur kthehesh nga një dëmtim i tillë, ke nevojë për një periudhë përshtatjeje, që ndryshon nga personi në person, për t’u rikthyer në atë që ishe. Stërvitesh, luan, por ende nuk ndihesh mirë me veten. Mua më duhej kjo periudhë për të rigjetur veten, me vazhdimësi loje çdo javë, më në fund u ktheva aty ku doja.

Tani je rikthyer i sigurt edhe në duelet fizike…
Jo vetëm kaq, janë shumë gjëra që kanë rëndësi në nivel fizik, të bësh menjëherë atë që mendon në çastin e duhur. Gjysmë sekonde në futboll bën diferencën, të ndryshon gjithçka.

Serie A në krahasim me La Liga, çfarë ndryshon?
Këtu është një futboll më pak taktik sesa në Itali, je më i ekspozuar ndaj kundërsulmeve apo veprimeve sulmuese. Dhe ka një ndryshim të madh në mentalitet, këtu është shumë më e qetë gjithçka.

Epo, edhe renditja ju lejon të jeni të qetë…
Tani po, por ka pasur një periudhë ku nuk ishim mirë. Krahasuar me Italinë, këtu ka shumë më pak presion. Unë që nuk lexoj shumë gazeta, e kuptoj menjëherë se La Liga nuk ka presionin e Italisë.

Mbappé, Lamine Yamal, Nico Williams, Vinicius, cili është më i vështiri?
Mbappé, edhe sepse për shkak të pozicionit tim e kam përballuar më shpesh dhe është shumë i fortë. Edhe Nico Williams më ka krijuar vështirësi, edhe pse luan nga krahu. Mbappé është si ‘Ferrari’, në dyluftimet një kundër një të kalon, në hapësirë të hapur është shumë e vështirë ta ndalosh. Markimi i tij bëhet më i lehtë vetëm nëse ndihmohesh nga shokët. Në fund është gjithmonë çështje pune ekipore.

Çfarë mendon kur përmendet fitimi i “Conference League” me Romën?
Më kujtohet gjithmonë festa pas ndeshjes me tifozët, në Tiranë. Ta luaja atë finale në Shqipëri e bëri gjithçka edhe më të veçantë. Ajo që më mbeti më shumë ishte festa e ditës pasardhëse në rrugët e Romës. E dija që tifozët janë të zjarrtë, por kur mbi autobus kalon orë të tëra duke bërë xhiron e qytetit, e kupton sa shumë e duan skuadrën.

Çfarë të ka munguar në Romë?
Mbërrita aty në merkaton pas Covid-it, e nisa mirë. Pastaj pata një periudhë ku nuk luaja, por isha më shumë alternativë. Mendoj se jam një lloj lojtari që ka nevojë për vazhdimësi, sidomos për shkak të fizikut tim. Kam nevojë të luaj e të stërvitem vazhdimisht. Ndoshta, duke qenë edhe i ri, nuk dita t’i menaxhoj mirë situatat. Pastaj erdhën dëmtimet, sidomos ai në gju, që më penalizoi shumë. Gjithashtu kisha edhe konkurrencë shumë cilësore, e dija që kisha përpara lojtarë të fortë. Sigurisht, të gjithë duan të luajnë, ndërsa nuk je i lumtur kur nuk luan. Po jap një shembull: me Mourinhon pati një periudhë kur fitonim shumë ndeshje 1-0. Çfarë mund t’i thoja?

A flet ende me ndonjë shok skuadre, për shembull me Edoardo Bove?
Ndonjëherë flasim, afeksioni mbetet edhe pa u dëgjuar çdo ditë. Ato momente i kam përjetuar shumë keq, po e shikoja ndeshjen dhe mbeta i paralizuar, si të gjithë besoj. E vetmja gjë që shpresoja ishte të merrja lajme të mira sa më shpejt, u qetësova kur mësova që më e keqja kishte kaluar.

E ardhmja jote ku do të jetë?
Dua të vazhdoj kështu, me vazhdimësi në lojë. Nuk e di ende çfarë do të ndodhë. Në fund të sezonit do të kthehem në Romë, sepse jam i huazuar pa të drejtë blerjeje. Pastaj do të shihet, por ajo që dua është të kem sa më shumë vazhdimësi, siç e kam pasur këtë sezon.

Spanjë apo Itali?
Tani që e kam parë si funksionojnë gjërat këtu, nuk e mbyll derën për një rikthim në Spanjë. Megjithatë, nuk di asgjë për momentin, thjesht dua ta mbyll sa më mirë sezonin këtu.

Je lindur e rritur në Itali, por ke luajtur gjithmonë për Shqipërinë. Pse?
Derisa mbusha 18 vjeç nuk kisha pasaportë italiane, edhe pse kisha lindur në Itali. Që 14 vjeç më thirri Shqipëria dhe shkova menjëherë. Prindërit e mi janë shqiptarë, familja ime është shqiptare, e ndjeja të rëndësishme të shkoja. Pastaj, kur nisa të luaja në Serie A, pati një interes të vogël nga Italia, por unë desha të vazhdoja me ata që gjithmonë më kishin besuar. Gjithmonë kam luajtur për Shqipërinë dhe jam krenar për këtë.

A e ëndërroni Botërorin…
Do të ishte si të fitonim Kupën e Botës në Itali. Asnjëherë nuk jemi kualifikuar dhe e dimë që është e vështirë, sepse në grup kemi kundërshtarë të forte. Besoj se ndeshja me Serbinë në qershor do të jetë vendimtare. Ky është rivali për vendin e dytë, sepse i pari besoj do t’i shkojë Anglisë. Shpresojmë, besojmë. Në Shqipëri ka shumë supersticion dhe të gjithë thonë që do të shkojmë në Botëror, le të presim e shohim.

Një Itali-Shqipëri në Botëror?
Do të ishte e mrekullueshme, pse jo.

Shoku yt i kombëtares, Ismajli, po shkëlqen tek Empoli. E prisje?
Po. Që kur luanim me tre në prapavijë, unë, ai dhe Gjimshiti, ndihesha shumë mirë me të dy. Ismajli gjithmonë ka qenë shumë i fortë. Ndoshta nuk është shumë i gjatë, por e kompenson me forcën e tij dhe kërcen shumë lart. Është shumë i kujdesshëm në mbulime, në pozicionim. Është e pamundur ta gjesh atë jashtë pozicionit. Kam shumë respekt për të. Kur luaj me të në kombëtare ndjehem shumë i sigurt. Ai e transmeton këtë siguri edhe te shokët.

Një tjetër shok i kombëtares, Asllani, po e ka të vështirë të imponohet tek Interi. Çfarë mendimi ke?
Teknikisht është shumë i fortë, por nuk e di, duhet të njohësh dinamikat e brendshme të skuadrës. Mund të jap shembullin tim: kur nuk luaja shumë dhe vinte momenti, nuk ndihesha në formën më të mirë. Është diçka personale, por në vazhdimësi gjen besimin. Kjo vlen sidomos për një djalë të ri si ai, apo siç isha unë dy-tri vite më parë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?